Monday, January 8, 2018

“E Drejta e Autorit”, sfidë ndaj plagjaturave

Leonard Veizi

“E Drejta e Autorit”, kjo duhet të jetë dhe sfida më e madhe ndaj plagjiaturave në art, që herë pas here duket se na kanë zënë frymën.
Por nëse është i suksesshëm dhe shitet shpejt në treg, prodhimin tënd të krijuar nga “asgjëja” mund ta gjesh në çdo anë rruge, duke u ekspozuar me një çmim shumë më të lirë, shpesh herë me një kopertinë ku ngjyrat janë të shpëlara dhe letra është jashtë standardi. Po t’i hedhësh një sy vëzhgues nuk do t’i gjesh emërtimin e shtëpisë botuese dhe as shtëpisë diskografike, sipas rastit. Gjithçka është anonime, ndërkohë që gjithçka është po e jotja, sigurisht. Dhe më e mundshmja, pas një irritimi agresiv sharjesh dhe fyerjesh, që mund të të vijnë në mend, është pikërisht qetësimi i nervave dhe blerja e disa kopjeve nga ky prodhim pirat. Pasi ke prenotuar dhe një avokat të mirë, je i detyruar të bësh një padi në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku do të të presë një procedurë e gjatë deri në zgjidhjen e çështjes.
Ndodh edhe kështu.
E Drejta e Autorit? Në fakt, në shumë raste pyetja mbetet pa përgjigje. Ndonjëherë neglizhohet, anashkalohet, por ndodh jo rrallë që të shkelet me të dyja këmbët. E Drejta e Autorit në Shqipëri nuk merr ndonjë rëndësi të veçantë, madje edhe kur gjyqet për një cilësim të tillë “valojnë” nëpër gjykata. “Është e imja apo është e jotja?”, në disa raste barazohet si një pronë e “kooperativës së tipit të lartë”, ku gjithkush mund të bëhet zot dhe mund të bëjë qejf me radhë.
Botimet pirate kanë mbytur për vite të tëra tregun shqiptar, ndërsa ka ende plot nga ato, që ua minojnë punën botuesve të vërtetë, atyre që i respektojnë këto të drejta. Në ekrane televizive mund të gjesh pa frikë filma artistikë apo dokumentarë, që nuk kanë kaluar fare nga “shtëpia” e autorit, apo nga Këshilli Kombëtar i Radio Televizioneve. Ndërsa plagjiaturat, gati janë futur në modë. Më së shumti kjo shihet në skenat e teatrove ku një pjesë e regjisorëve, në mungesë të theksuar të fantazisë, punojnë me kaseta të gatshme. E në këto raste ndëshkimet për shkelësit nuk duhet të kenë ndonjë mirëkuptim të veçantë. Sepse një rrugë e tillë, edhe pse e njohur dhe e shkelur mirë, do të sjellë përplasje pa fund, gjyqe pa mbarim dhe akuza të ndërsjella.
Por jo çdo gjë përfundon këtu. Epidemia e plagjiaturës, apo thënë ndryshe: prodhimeve fallco ka kapur jo pak edhe fushën e arteve vizuale, sidomos piktura. E ndërkohë që ky një riprodhim fallco, shitet me shifra të pabesueshme, në Galerinë Kombëtare të Arteve apo galeritë private, qëndrojnë varur punët krijuese të shumë piktorëve me emër. Dhe si për ironi të fatit, tregu informal furnizohet vazhdimisht me të tilla telajo. Ai nuk gjen ngopje.
E Drejta e Autorit rezulton si një nga problemet më serioze të jetës kulturore-artistike dhe të botimeve të vendit pas viteve ’90. Për të thënë të vërtetën deri në fund, deri tani, në Shqipëri, këto të drejta s’janë respektuar. Për sa u takon viteve më parë nuk ka pasur as mundësi ligjore mbrojtjeje. Për pesëdhjetë vjet me radhë u vodhën të drejtat e autorëve të huaj dhe u cënuan e nuk u paguan të drejtat e autorëve shqiptarë. Kjo ishte një amulli, që vepronte sipas, të themi: “kanunit komunist”, dhe kërkesa e llogarisë mbetej në kufijtë e absurdit.
Gjatë periudhës 1992–2007, në një epokë të re zhvillimesh shqiptare, janë miratuar një sërë ligjesh e nënshkruar një sërë konventash e traktatesh ndërkombëtare për këtë qëllim nga qeveritë shqiptare, por zbatimi i tyre në praktikë ndeshet me sfida të shumta, që lidhen me aftësitë e strukturave shtetërore e ndërgjegjësimin dhe informacionin jo të plotë të komunitetit të artistëve rreth këtij problemi.
Ndërkohë prej pak vitesh mund të thuhet se po funksionon Ligji i së Drejtës së Autorit, një ligj shumë i rëndësishëm, që gjithnjë e më shumë ka gjetur terren. Pjesa më e madhe e botuesve shqiptarë nuk botojnë më libra pa të Drejtë Autori. Dhe, në një farë mënyre, kjo tregon njëfarë ndërgjegjësimi, që po e rregullon dhe po i jep identitet vitrinës shqiptare të librit. Moda e gjyqeve nuk është shpikje shqiptare. Modele vijnë nga Perëndimi, ku “E Drejta e Autorit” është kthyer në mit.
Por fatkeqësia e terrenit shqiptar është se, nga shumë administratorë, jo vetëm nuk njihen procedurat e funksionimit të Ligjit të së Drejtës së Autorit, por edhe mekanizmat për ta vënë në lëvizje janë të fjetura. Ndonjëherë pa dashje, ndonjëherë më dashje të plotë. Sepse ky është tregu i zi, norma e një fitimi të shpejtë, duke shkelur mbi pronën intelektuale të një krijuesi.

Ende nuk është kuptuar, që ajo është pronë si gjithë të tjerat, si një shtëpi, si një makinë, si një tokë prodhuese, apo pyll me dru arre, apo si gjithçka tjetër, ku mund të thuash pa frikë: “Kjo është e imja”. 

Botuar në suplementin  "Pena shqiptare", gazeta Telegraf - 22 mars, 2009

No comments:

Post a Comment