Në 20 vjetorin e largimit të “Mjeshtrit të Madh të
Punës"
Nga Leonard Veizi
“Beteja e Fushë Kosovës”, është puna e tij e
pambaruar dhe padyshim pengu më i madh që merrte me vete tek ikte në botën e përtejshme.
Boceti qëndronte në studion e punës, i vizatuar por mbi të ende nuk ishin
hedhur ngjyrat. Ishte 10 marsi i vitit 2001 kur Fatmir Haxhiu pas një arresti
kardiak, u larguar përfundimisht nga telajo e tij, nga studio dhe nga vetë
gjiri i familjes duke lenë në mes gjithçka. Sepse askush, madje as ai vetë nuk
e priste këtë sulm të pabesë që i shkatërroi një nga çastet më pasionante të
tij mes lapsit e tablosë, ku shquheshin plot fytyra luftëtarësh të tendosur.
Ishte plot energji dhe pasionin që vazhdonte t’i buronte në pashterësi e hidhte
vazhdimisht mbi kanavacë...
...Në
fillim pranverën e vitit 2002, si pjesë e një stafi televiziv, m’u desh të
realizoja një portret për piktorin Fatmir Haxhiu, në prag të 1 vjetorit të
ndarjes së tij nga jeta. Familjaret më vunë në dispozicion të gjitha materialet
që kishin të bënin me të dhe në këtë mënyrë unë u njoha në imtësi me punën
kolosale të këtij piktori të talentuar. Dhe padyshim, ajo që më ka mbetur më
shumë në kujtesë edhe tanimë pas shumë vitesh, nuk ishin vetëm punët e tij të mëdha
e të ekspozuara, por pikërisht ajo, e cila kishte mbetur në mesin të studios,
ende mbi këmbalec, e skicuar gati në të gjitha detajet por ende e papërfunduar,
e që kur të merrte trajtën e plotë do të mbante titullin “Beteja e Fushë Kosovës”.
Piktori i historisë
Ai
njihet si piktor i përmasave të mëdha me tema historike. I përket gjysmës së
dytë të shekullit XX në artet pamore dhe zë një vend shumë të rëndësishëm për sa
u përket temave që ai trajtoi, në pikturën monumentale, në atë të kavaletit por dhe për gjinitë e
peizazhit, natyrës së qetë e portretit. Pra është një nga ata piktorë që i
trajtoi të gjitha gjinitë. Por ndoshta puna më e madhe e tij është “Bashkimi i
Principatave Shqiptare”. Është një murale e cila ndodhet në pavijonin e mesjetës
së Muzeut Historik Kombëtar. Afresku, - sipas piktorit në një intervistë televizive,
- ishte i parë i realizuar pas shekullit të XIII, në vendin tonë dhe me përmasa
kaq të mëdha për nga dimensioni dhe nga përmbajtja. Në mënyrë të pabesueshme, këtë
punë madhështore, piktori i talentuar mundi ta realizoj brenda 40-ditëve, pasi
e ka ndarë të gjithë hapësirën e vënë në dispozicion, në 40 kuadrate. Për më pas
se kaq veprat më të vlerësuara të të këtij piktori mbeten: “Skroskë 1944”, “Luftëtari
i Spanjës”, “Me shpatë në dorë”, “Tokë e zhuritur”, “Beteja e Albulenës”, “Vallja
e fitores”, “Lufta e Tiranës”.
Jetëshkrimi
Edhe
pse daton i lindur në Gjirokastër më 28 dhjetor 1927, Fatmir Haxhiu rridhte nga
një familie qytetare përmetare. Por në vitin 1930 familja e tij u vendos me
banim në Tiranë. Në kryeqytetin shqiptar ai kaloi gjithë jetën deri në ditët e
fundit më 10 mars 2001. Kreu shkollën fillore tek "Shkolla e Kuqe", ndërsa
do të ndiqte si shkollën e mesme Liceun e Tiranës. Gjatë pushtimit fashist të
Shqipërisë përkrahu lëvizjen çlirimtare dhe në shtator të vitit 1943 doli
partizan. Luftoi deri në çlirimin e plotë të vendit. Në nëntor të vitit 1945
Fatmir Haxhiu nis studimet ushtarake në Beograd dhe më pas i vazhdoi në Zagreb
në shkollën e artilerisë. Në jetëshkrimin e tij thuhet se ishte Zagrebi i
Kroacisë Jugosllave i cili i dha oficerit të ri ndër të tjera edhe shijet e
punës estetike, edukative për të bukurën e bashkëkohoren. Kryen studimet me
sukses, dhe në vitin 1948 kthehet në atdhe duke mos e braktisur për asnjë çast
pasionin për pikturën.
Krijimtaria
Njihet
që herët me mjeshtrat Andrea Mano, Llazar Nikolla, Kel Kodheli, Sadik Kaceli. Këta
artistë së bashku me piktorin Nexhmedin Zajmin, skulptorin Odise Paskali,
piktorin Foto Stamo duke parë pasionin dhe talentin e Fatmir Haxhiut ndikuan në
përgatitjen e tij teorike. Nga mesi i viteve 50, Fatmir Haxhiu u bë krijuesi i
studios së parë ushtarake në Shqipëri. Në vitin 1959 për herë të parë merr
pjesë në ekspozitën kombëtare të pikturës, ku vlerësohet me çmimin e dytë. Për
vite me radhë ai u aktivizua me vizatime e grafika në revistën “10 korriku”. Por
dëshira për të vazhduar studimet e larta për pikturë e grishte vazhdimisht. Në
vitin 1959, mes 70 kandidatëve, fiton konkursin në Institutin e Lartë të Arteve.
Në vitin 1965 përfundon studimet ku si punë diplome paraqiti kompozimin me temë
nga lufta çlirimtare "Kalimi i Divizionit të Parë në Veri".
Angazhimet artistike
Edhe
pas diplomimit ai vazhdoi të punojë si kuadër ushtrie, në detyra me përgjegjësi
ku mbajti dhe gradën e Nënkolonelit. Aktiviteti artistik i Fatmir Haxhiut është
i ndërthurur edhe me atë pedagogjik, ku për vite me radhë ka investuar për
diplomimin e brezave të rinj të piktorëve. Gjithashtu ai ka qënë një artist i
angazhuar edhe në problemet e drejtimit në strukturat e shoqatat artistike. Ka
qënë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve nga viti
1966-69 dhe anëtar i Komitetit Drejtues të saj deri në vitin 1991. Ka qënë
anëtar i komisionit të pikturës pranë Komisionit Shtetëror për Artet Figurative
të Shqipërisë, kryetar i komisionit të pikturës pranë Lidhjes së Shkrimtarëve
dhe Artistëve dhe anëtar i këshillit artistik të Galerisë Kombëtare të Arteve. Nga
viti 1967 ka ushtruar krijimtarinë e tij duke qene në profesion të lirë. Në
katër dekada pune të pa lodhur, ka realizuar një numër të madh veprash në
gjininë e kavaletit dhe asaj monumentale. Sot punimet e tij gjenden kudo brenda
dhe jashtë vendit.
Vlerësimet
Për
aktivitetin e tij të suksesshëm, Fatmir Haxhiu është nderuar me titujt e lartë
"Piktor i Merituar" dhe "Mjeshtër i Madh i Punës". Punimet
e tij janë janë pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut Historik Kombëtar,
Muzeve Historik të Tropojës, Burrelit, Vlorës, Përmetit, etj. Ndërkohë që shumë
tablo të tjera janë pjesë e koleksioneve private kudo në botë. Në konkurset
kombëtare prej vitit 1966 deri në 1990 Fatmir Haxhiu ka fituar tre çmime të
para, dy çmime të dyta dhe një çmim të tretë. Është laureat i Çmimit të
Republikës së shkallës parë me veprën “Skroskë 1944” si dhe i Çmimit të
Republikës së shkallës së tretë për veprën “Me shpatë në dorë”.
No comments:
Post a Comment