Monday, January 24, 2022

Dhimitër Anagnosti, gjeniali i kinemasë shqiptare

Nga Leonard Veizi
 
Ai është një regjisor gjenial dhe kjo nuk mund të vihet më në dyshim. Por ç’është e vërteta, në fakt, nuk është vënë asnjëherë.
Megjithëse, është e vështirë të thuash se pikërisht Ai duhet të qëndrojë në majën e kineastëve shqiptarë, të atyre artistëve të cilët drejtonin pas kamerave dhe na dhuruan imazhe të papërsëritshme në pelikul. Ndaj krahasimi me të tjerë njerëz që kanë pasur të njëjtin profil, bëhet edhe më i vështirë, duke ditur se artet në përgjithësi nuk kanë njësi matëse, as me gramë a kuintalë për hektarë, dhe as me milimetër a milje lineare.
Gjithsesi, po të përmendësh emrin e tij, gjithkush do të ngrejë duart e do të tërhiqet, si për t’u dorëzuar e lënë vendin bosh, atje ku duhet të ulet “Njëshi”.
Në këtë mënyrë, Ai vërtetë duhet të qëndrojë në majë, atje ku skeptëri bëhet i rëndë po aq sa froni i një mbreti.
Por për të arritur atje, padyshim është dashur një punë e madhe, serioze, stërmunduese e rraskapitëse, si dhe shumë talent.
Ai i ka pasur të gjitha këto. Me shumicën e mundshme për të qenë gjenial.
Ky është Dhimitër Anagnosti.
“Artist i Popullit” dhe “Nder i Kombit” ai mbetet ndër më të shquarit e kinemasë shqiptare. Dhe për këtë shkak është mbajtës gjithashtu edhe i titullit tjetër të lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Në jetën e përditshme ka preferuar të qëndrojë larg mediave, intervistave apo statuseve në rrjetet sociale. Por profili i tij madhështor nuk është fundosur aspak në oqeanin e ajzbergëve djallëzorë. Sepse sot, në një botë imazhi, të qenit në “faqen e parë”, duket sikur është gjithçka. Ndërsa ai, mjeshtri, që e di mirë se ç’do të thotë imazh, as që e ka preferuar ndonjëherë “faqen e parë”. Ndoshta sepse e ka ditur se aty ka qenë ngaherë dhe do të jetë në vazhdimësi e tutje.
Ai është një regjisor që me imazhe filmike na bënin të ëndërronim. Ishin filmat e një epoke që i dhanë një dimension të ri jetës sonë të varfër. Dhe ishte po ai që me një fabul të thjeshtë në dukje, si “Në shtëpinë tonë” do ta ngrinte në art një “kështjellë” përmes një Miri çamarrok që kallëzonte motrën e tij Ana se dashuronte sportistin Fatos Gjini dhe shoferit Stefi Petro që punonte me IFA-n e Parkut të Mallrave TR 15-96.
Po aq, një regjisor si Anagnosti do të na gdhendë në kujtesën afatgjatë personazhe si kapter Ramiu, Islami dhe Pepini tek “Dueli i heshtur”, si Jaçe, Lelo, drejtor Luixhi e kujdestari tek “Lulëkuqet mbi mure”, doktoreshë Besa e Gjin Maneshi që i kish mbetur plumbi në krah “tash 27 vjet”, e për më tej infermierin Peliçelin, Jahon, Kabon e Safa Ymerin tek “Malet me blerim mbuluar”. Por nuk duhet lënë pas “Kthimi i ushtrisë së vdekur” që ishte një përpjekje sfiduese me Bujar Lakon e Gulielm Radojën për t’i dhënë një vlerë të re “Gjeneralit...”, të mëhershëm me Sandër Prosin e Pjetër Gjokën.
Do të cilësohej si kulminacion i krijimtarisë së tij “Përrallë nga e kaluara”, një realizim kinematografik që u rezistoi të gjitha kohërave e furtunave. Por Anagnosti e kish mbajtur dhe një “As” nën mëngë për të na surprizuar me më të fundit film të realizuar prej tij: “Gjoleka djali i Abazit”.
Ndërsa më herët se kaq do të duhej filmi “Toka Jonë”, ku ai qëndronte pas lentes së kameras si operator i filmit të Hysen Hakanit, që do ta njihte me Roza Xhuxhën apo Anagnosti siç njihet më së shumti, bashkëshorten e tij të ardhshme, si dhe bashkëpunëtoren e tij në disa prej krijimeve më të arrira kinematografike.
Organizator i shkëlqyer, kërkues deri në detaj, Anagnosti nuk shkonte asnjëherë në shesh të xhirimit i papërgatitur dhe pa zbërthyer deri në imtësitë më të vogla skenarin tekniko-regjisorial. Ndaj bashkëpunëtorët e tij janë shprehur se nëse e kishte “vulosur” materialin, nuk kishte kthim pas dhe se gjithçka në shesh të xhirimit do të bëhej siç ishte parashikuar, pa mungesa dhe improvizime.
Shumë shkurt nga jetëshkrimi i tij zyrtar mund të përmendim se Dhimitër Anagnosti u lind në 23 janar 1936 në Vuno, të rrethit të Vlorës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme në Vlorë. Ndërsa në vitet 1954 - 1960 ndoqi Institutin Kinematografik "VGIK" të Moskës, ku u diplomua si kinooperator. Dhe do të ishin pararendës të kinemasë së bashku me një tjetër kolos të saj, Viktor Gjika, si shokë kursi, dhe si bashkëregjisorë në shesh të xhirimit.
Po aq, në jetëshkrimin e tij thuhet se në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, si dhe është autor i 15 skenarëve, pasi pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar po vetë.
Në një rivalitet të heshtur me regjisorë të tjerë, po aq virtuozë në atë çfarë kanë mundur të lënë pas si dëshmi në pelikul, gjithsesi ai mbetet gjithmonë i njëjti emër unik: Dhimitër Anagnosti.
 
 

No comments:

Post a Comment