Sunday, January 23, 2022

Shqiptarët, një popullsi në zhdukje


Nga Leonard Veizi
 
Marr shkas nga audienca e parë e përgjithshme që Papa Françesku ka bërë në sallën Pali VI të Vatikanit, janarin e vitit 2022. Shqetësimi i Papës katolik këtë herë kishte të bënte me lindshmërisë. Citoj që ai të jetë shprehur: “Shumë çifte nuk kanë fëmijë sepse nuk duan ose kanë vetëm një, sepse nuk duan të tjerë, por kanë dy qen, dy mace. Po, macet dhe qentë zënë vendin e fëmijëve. Po, është qesharake, e kuptoj, por është realitet. Ky mohim i atësisë dhe amësisë na pakëson, e merr njerëzimin”.
Është apo nuk është i ligjshëm ky shqetësim i Papa Françeskut?
Sepse dimë që bota po shkon me shpejtësi rreth shifrës së 8 miliard njerëzve mbi kurriz të saj. Aktualisht pretendohet se janë 7.8 miliardë njerëz gjithsej.
Për kureshti të përgjithshme, duke u mbështetur mbi raportet e OKB-së, dua të bëj me dije se globi sot ka trefishin e popullsisë që ka pasur më 1950. Dhe po aq enciklopedia të informon se dymijë vjet më parë rruzulli tokësor kishte gjithsej 200 milionë njerëz.
Megjithatë, për fatet e globit ka kush mendon, në janë 200 milion njerëz më pak a më shumë. Ndërkohë që as pandemia “Covid-19”, për të cilën u tha se do të ndryshonte raportin e njerëzve të gjallë me vdekshmërinë, nuk është se pati ndonjë rendiment për t’u marrë seriozisht. Gjithsesi, bota është e mbingarkuar me njerëz edhe pse kalkulimet e bëra publike nga gjithfarë agjencish thonë se globi në tërësinë e tij mund të mbajë pa frikë të paktën 10 miliardë njerëz. E për më tej kalkulimet për ushqim, ujë dhe energji duhet të rifillojnë nga e para.
Por të kthehemi tek fatet tona, si shqiptarë që jemi.
Disa vite më parë, ndërsa vërdallosesha në terren për të gjetur histori dhe personazhe interesante, ndesha Gëzimin, një djalë asokohe 18-vjeçar, i cili në habitatin ku jetonte, njihej si “3 milionshi”. Thënë më qartë, sipas statistikave të viteve të komunizmit, lindja e tij përkoi me personin që rrumbullakosi shifrën e 3 milion shqiptarëve brenda territorit të Republikës Socialiste të Shqipërisë. Dhe ishte 27 shkurti i vitit 1986 kur u bë publike një gjë e tillë. Për këtë lajm të jashtëzakonshëm folën gjatë Radio, Televizioni dhe gazetat e kohës. Sepse në ato vite, lindshmëria ishte në rend të ditës, pasi sipas një direktive dalë nga zyrat e Komitetit Qendror, shtimi i numrit të popullsisë do të thoshte më shumë ushtarë në mbrojtje të Partisë dhe Atdheut.
-Epo kështu ishin kohët.
Të kthehemi sërish te statistikat, edhe pse në vetvete ky shkrim nuk duhej të kishte të bënte me kaq shumë shifra.
Po sipas statistikave, 18 vjet para vitit 1986, - pra në vitin 1968, - Shqipëria kishte mundur të bëhej me 2 milion banorë. Dhe e dymilionta shqiptare e kishte emrin Drita.
Ndërkohë, Shqipëria e sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore kishte një popullsi prej 1.122.000 banorësh.
Në këto vite të arta të shtimit të popullsisë me ritme të shpejta, mosha mesatare në Shqipëri kushte atë të lules së rinisë, 27 vjeç.
Nëse kjo gjë do të vazhdonte në mënyrë lineare e të pandërprerë, sot Shqipëria, pas 36 vitesh nga plotësimi i shifrës 3 milionë, duhet të kishte një popullsi prej 5 milionë banorësh.
-Birinxhi!
Kaq do na mjaftonin të mbronim Partinë edhe Atdheun, sepse pushkë e municione kishim sa për 10 milionë.
Ndërkohë, statistika më e fundit zyrtare, e bërë publike nga Instituti i Statistikave, për numrin e popullsisë në vend, është ajo e janarit 2021 ku Shqipëria rezulton me 2.829.741 banorë. Raportit i INSTAT sqaron për më tej se popullsia në Shqipëri ka pësuar një rënie me 0,6%, krahasuar me 1 Janarin e vitit 2020, ndërsa krahasuar me vitin 2011 – pra dhjetë vite më parë, - është ulur me 2,7%.
-U ul dhe pazari!
Po duke iu referuar statistikave, ndërsa në vitet ‘80 të shekullit të kaluar, mosha mesatare e popullsisë ishte 27 vjeç, në vitin 2011 ajo u rrit në 33 vjeç, ndërsa në vitin 2011, në afërsisht 38 vjeç.
-Ohoooo, drugu mesele.
Pra, tanimë kemi një popullsi më të plakur, në një popullsi më të rrudhur.
Në 30 vitet e fundit nga Shqipëria janë larguar 1.7 milionë banorë ose thënë ndryshe 37% të popullsisë.
-Shëndet dhe të mira materiale!
Pse nuk thoni që qenkemi bërë për ditë të hallit. Kështu si e kemi nisur, s’do mbetet këmbë shqiptari në Shqipëri. Po vendi nuk do të mbetet pa njerëz sigurisht. Pas dere po presin bangladeshasit...
Që t’i biem në kokë muhabetit, shqiptarët këndej rrotull janë, nuk është se kanë humbur. Vetëm janë zhvendosur, ose në Greqi, ose në Itali, ose..., ose në Gjermani... Çështja është se forcat më të mira, dhe në moshën më aktive, na i ka marrë bota. Megjithatë, emigracioni aktiv, nuk është se e shteron problemin. Në thelb ai mbetet. Në këtë mënyrë në Shqipëri numri i shqiptarëve është ulur, por po t’i referohemi asaj çfarë ka thënë Françesku i katolikëve, është shtuar numri i qenve dhe i maceve.

No comments:

Post a Comment