Monday, January 17, 2022

Të jetosh mbi llumin organik të frymorëve

 

Nga Leonard Veizi
 
Shqiptarët, në tërësinë e tyre kanë vetëm një festë që i bashkon të gjithë, aq sa i bën xurxull e nuk dalin tre ditë nga shtëpia. Prandaj ata nuk i falen “Babbo Natale”-s, por Babagjyshit të Vitit të Ri. Dhe i luten që përveç ndonjë qeni me lesh a pellush, t’u sjellë dhe plot të mira të tjera, qoftë dhe një qen prej vërteti brenda pakos së dhuratave.
Dhe pas kësaj jemi mësuar ta nisim vitin me urimin klishe: "Qoftë një vit i mbarë!”. Me sa duket kjo do të thotë se ai që lamë nga pas nuk ishte dhe aq i mbarë. “Shëndet, begati e prosperitet". Kryekëput slogan. Këto sentenca njerëzit i kanë të regjistruara në kokë si në një disk platini dhe i përsërisin papushim gjatë gjithë kohës. Le më kur vazhdon ca me zhargon: “shnet e pare”.
Posi..., ja aty po pret banka, me kartëmonedhat e reja fringo, të na japë nga një dorë në malore meqë karburanti ka shkuar te pulla e kuqe e nuk tërheq fort.
Që ta nisim mbarë, e ta ulim ca mllefin... Nuk është se kam ndonjë inat personal me përmbajtjen e këtyre urimeve, sepse në thelb qëndrojnë. Dhe meqenëse s’mund t’i thuash dot “plaç” një njeriu që teshtin, duhet t’i thuash të paktën “shëndet”. Ndaj urimet për begati e para me shumicë do të jenë ngahera.
Por, në këto vite të këtij mijëvjeçari, i cili na ka futur në një dimension të ri jete, urimi kthehet me kokë poshtë, për t’ianë lë vendin një tjetri, që në fakt është i fort i shëmtuar për t’u thënë.
-"Të rroftë kollarja"... benzi GL Class... çanta Guçi, veshja Versaçe... dhe vila në zonën rezidenciale me njerëz security-je pa kobure por ambient të vrojtuar prej kamerave HD...
Dhe meqë Viti i Ri ka hyrë tashmë, urimi fillestar që më erdhi ndër dhëmbë nga pështirosja që m’u nakatos që prej mëngjesit të parë kur dola në rrugë, ishte: "O Zot, na sill një vit më të pastër, pa përmjerjen kolektive në rrugë, shfryrjen e hundëve si skrapamento makine, pastrim të gurmazit duke gërryer tubin ezofagial sikur po pastron tubin  e oxhakut, pështytje masive në tokë dhe hedhjen e pecetave higjienike vend e pa vend”.
Domethënë, babagjyshit të Vitit të Ri nuk është se duhet me i kërku gjithmonë pare: marka, dollarë e lireta, si në tregun exchange.
Sepse për djall, njeriu si qenie humane kërkon te jetë dhe qenie sociale, pra shoqërore. E si e tillë duhet të përshtatet e të jetojë në komunitet. Pra të ketë pranë vetes ca njerëz të tjerë. Por djall o punë kur nuk ia ke haberin asnjë prej rregullave të përbashkëta të edukatës qytetare. Kjo lëndë, bëhet që në shkollën fillore ndaj psikologët thonë se bazat e saj po t’u ngulën në mendje nuk të shqiten më. Nëse ti nuk arrin t’i zbatosh, apo më keq i shkel me të dyja këmbët, dy janë mundësitë: ose ke qenë ca pa qejf e s’ke shkuar në mësim ato ditë, ose me gjasa nuk ke shkuar fare në shkollë e s’ka pas kush të t’i mësojë as në shtëpi. Treni ka ikur dhe s’të bën punë as të hipësh tek vagoni i fundit i mallrave. Kështu që ke mbetur i mangët nga kjo anë.
Tirana është një qytet ku një herë e një kohë, - qoftë dhe për shkak të një ditë të diel kur gratë dilnin e pastronin territorin, - dukej një vend për të qenë, i pastër, e për më tepër pa mbetje organike. Sot në çdo hap që hedh, duhet të matesh mirë e t’i bësh sytë katër, sepse jo rrallë do ndeshësh e do të shkelësh me këpucët e sapoblera e llustrafinë, të pëgërat e qenve.
Të dhjefsha Tiranën! “Ma mirë në pyll se n’qytet”... – thonë këndej nga Shqipëria e Mesme.
Nëpër rrugët e kryeqytetit sot sheh djem me veshje sportive, nga dy metra të gjatë e gjithë muskuj,  por dhe plot gra bukuroshe e të kuruara deri në detaj me kremra të që ta bëjnë surratin tas, që ankthin e tyre më të madh e kanë tek çlirimi i zorrës së trashë të qenit. “Të keqen mami... “ Ndaj nuk pyesin se ku ndodh kjo performancë disgustoze, në bythën e ndonjë peme apo tek rrotat e ndonjë makine. Mjaft që qeni të lirohet e bashkë me të të çlirohet dhe i zoti.... se po plasnin që të dy.
Po mirë e kanë tek e fundit: Qeni është kafshë besnike. Se mos njerëzit janë më të mirë. Edhe ata do ta bënin në çdo cep pallati po t’u jepej mundësia. Por nuk i lënë kamerat, që sot i gjen të instaluara ngado.
Në këtë mënyrë ne të gjithë, kontribuojmë në mënyrë masive për ta ndotur sa më shumë këtë qytet.
Nuk është vetëm karburanti e gazrat që emetohen në hapësirë. Janë dhe mbetjet ushqimore trupore. Përroi i vogël i Lanës, që kalon mespërmes kryeqytetit është i pafuqishëm të marrë me vete mbetjet e një milion njerëzve dhe të nja 500 mijë qenve. Ndaj vetëm ndonjë rrebesh mund të bëjë ndonjë derman e ta shpëlajë ca atë që ka ardhur nga zbatueshmëria e shprehjes aq romantike: U bë muti kala.
Ndaj lutja që i bëhet babagjyshit thellohet në brazdë: O Zot, mos na e ndaj shiun mëngjes, drekë, darkë. I bën mirë bujqësisë, nëpër arat e pluguara, por i bën mirë dhe asfaltit e pllakave mbi trotuar se i shpëlan. I lemë për vitin tjetër qentë e leshit e të pellushit...
Dhe kështu vendin e Covidit, të Deltës e Omikronit me gjasa do ta zërë përsëri kolera. Ajo do të rikthehet në vazhdimësi, për të na kujtuar se të jetosh me mbetjet organike nëpër brazdat e këpucëve, e të shkelësh me to kudo, do të kesh edhe një kosto medoemos. Ndaj përsëri do fillojë avazi i spërkatjes me klor e gëlqere, për të mbuluar me sa mundet zhulin e llumin që e bëjmë bashkë të gjithë ne.

No comments:

Post a Comment