Tuesday, March 9, 2021

Fatmir Haxhiu, piktori i përmasave të mëdha


Në 20 vjetorin e largimit të “Mjeshtrit të Madh të Punës"
 
Nga Leonard Veizi
 
“Beteja e Fushë Kosovës”, është puna e tij e pambaruar dhe padyshim pengu më i madh që merrte me vete tek ikte në botën e përtejshme. Boceti qëndronte në studion e punës, i vizatuar por mbi të ende nuk ishin hedhur ngjyrat. Ishte 10 marsi i vitit 2001 kur Fatmir Haxhiu pas një arresti kardiak, u larguar përfundimisht nga telajo e tij, nga studio dhe nga vetë gjiri i familjes duke lenë në mes gjithçka. Sepse askush, madje as ai vetë nuk e priste këtë sulm të pabesë që i shkatërroi një nga çastet më pasionante të tij mes lapsit e tablosë, ku shquheshin plot fytyra luftëtarësh të tendosur. Ishte plot energji dhe pasionin që vazhdonte t’i buronte në pashterësi e hidhte vazhdimisht mbi kanavacë...
 
...Në fillim pranverën e vitit 2002, si pjesë e një stafi televiziv, m’u desh të realizoja një portret për piktorin Fatmir Haxhiu, në prag të 1 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Familjaret më vunë në dispozicion të gjitha materialet që kishin të bënin me të dhe në këtë mënyrë unë u njoha në imtësi me punën kolosale të këtij piktori të talentuar. Dhe padyshim, ajo që më ka mbetur më shumë në kujtesë edhe tanimë pas shumë vitesh, nuk ishin vetëm punët e tij të mëdha e të ekspozuara, por pikërisht ajo, e cila kishte mbetur në mesin të studios, ende mbi këmbalec, e skicuar gati në të gjitha detajet por ende e papërfunduar, e që kur të merrte trajtën e plotë do të mbante titullin “Beteja e Fushë Kosovës”.
 


Piktori i historisë
Ai njihet si piktor i përmasave të mëdha me tema historike. I përket gjysmës së dytë të shekullit XX në artet pamore dhe zë një vend shumë të rëndësishëm për sa u përket temave që ai trajtoi, në pikturën monumentale, në  atë të kavaletit por dhe për gjinitë e peizazhit, natyrës së qetë e portretit. Pra është një nga ata piktorë që i trajtoi të gjitha gjinitë. Por ndoshta puna më e madhe e tij është “Bashkimi i Principatave Shqiptare”. Është një murale e cila ndodhet në pavijonin e mesjetës së Muzeut Historik Kombëtar. Afresku, - sipas piktorit në një intervistë televizive, - ishte i parë i realizuar pas shekullit të XIII, në vendin tonë dhe me përmasa kaq të mëdha për nga dimensioni dhe nga përmbajtja. Në mënyrë të pabesueshme, këtë punë madhështore, piktori i talentuar mundi ta realizoj brenda 40-ditëve, pasi e ka ndarë të gjithë hapësirën e vënë në dispozicion, në 40 kuadrate. Për më pas se kaq veprat më të vlerësuara të të këtij piktori mbeten: “Skroskë 1944”, “Luftëtari i Spanjës”, “Me shpatë në dorë”, “Tokë e zhuritur”, “Beteja e Albulenës”, “Vallja e fitores”, “Lufta e Tiranës”.
 
Jetëshkrimi
Edhe pse daton i lindur në Gjirokastër më 28 dhjetor 1927, Fatmir Haxhiu rridhte nga një familie qytetare përmetare. Por në vitin 1930 familja e tij u vendos me banim në Tiranë. Në kryeqytetin shqiptar ai kaloi gjithë jetën deri në ditët e fundit më 10 mars 2001. Kreu shkollën fillore tek "Shkolla e Kuqe", ndërsa do të ndiqte si shkollën e mesme Liceun e Tiranës. Gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë përkrahu lëvizjen çlirimtare dhe në shtator të vitit 1943 doli partizan. Luftoi deri në çlirimin e plotë të vendit. Në nëntor të vitit 1945 Fatmir Haxhiu nis studimet ushtarake në Beograd dhe më pas i vazhdoi në Zagreb në shkollën e artilerisë. Në jetëshkrimin e tij thuhet se ishte Zagrebi i Kroacisë Jugosllave i cili i dha oficerit të ri ndër të tjera edhe shijet e punës estetike, edukative për të bukurën e bashkëkohoren. Kryen studimet me sukses, dhe në vitin 1948 kthehet në atdhe duke mos e braktisur për asnjë çast pasionin për pikturën.

 
Krijimtaria
Njihet që herët me mjeshtrat Andrea Mano, Llazar Nikolla, Kel Kodheli, Sadik Kaceli. Këta artistë së bashku me piktorin Nexhmedin Zajmin, skulptorin Odise Paskali, piktorin Foto Stamo duke parë pasionin dhe talentin e Fatmir Haxhiut ndikuan në përgatitjen e tij teorike. Nga mesi i viteve 50, Fatmir Haxhiu u bë krijuesi i studios së parë ushtarake në Shqipëri. Në vitin 1959 për herë të parë merr pjesë në ekspozitën kombëtare të pikturës, ku vlerësohet me çmimin e dytë. Për vite me radhë ai u aktivizua me vizatime e grafika në revistën “10 korriku”. Por dëshira për të vazhduar studimet e larta për pikturë e grishte vazhdimisht. Në vitin 1959, mes 70 kandidatëve, fiton konkursin në Institutin e Lartë të Arteve. Në vitin 1965 përfundon studimet ku si punë diplome paraqiti kompozimin me temë nga lufta çlirimtare "Kalimi i Divizionit të Parë në Veri".
 
Angazhimet artistike
Edhe pas diplomimit ai vazhdoi të punojë si kuadër ushtrie, në detyra me përgjegjësi ku mbajti dhe gradën e Nënkolonelit. Aktiviteti artistik i Fatmir Haxhiut është i ndërthurur edhe me atë pedagogjik, ku për vite me radhë ka investuar për diplomimin e brezave të rinj të piktorëve. Gjithashtu ai ka qënë një artist i angazhuar edhe në problemet e drejtimit në strukturat e shoqatat artistike. Ka qënë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve nga viti 1966-69 dhe anëtar i Komitetit Drejtues të saj deri në vitin 1991. Ka qënë anëtar i komisionit të pikturës pranë Komisionit Shtetëror për Artet Figurative të Shqipërisë, kryetar i komisionit të pikturës pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe anëtar i këshillit artistik të Galerisë Kombëtare të Arteve. Nga viti 1967 ka ushtruar krijimtarinë e tij duke qene në profesion të lirë. Në katër dekada pune të pa lodhur, ka realizuar një numër të madh veprash në gjininë e kavaletit dhe asaj monumentale. Sot punimet e tij gjenden kudo brenda dhe jashtë vendit.
 
Vlerësimet
Për aktivitetin e tij të suksesshëm, Fatmir Haxhiu është nderuar me titujt e lartë "Piktor i Merituar" dhe "Mjeshtër i Madh i Punës". Punimet e tij janë janë pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut Historik Kombëtar, Muzeve Historik të Tropojës, Burrelit, Vlorës, Përmetit, etj. Ndërkohë që shumë tablo të tjera janë pjesë e koleksioneve private kudo në botë. Në konkurset kombëtare prej vitit 1966 deri në 1990 Fatmir Haxhiu ka fituar tre çmime të para, dy çmime të dyta dhe një çmim të tretë. Është laureat i Çmimit të Republikës së shkallës parë me veprën “Skroskë 1944” si dhe i Çmimit të Republikës së shkallës së tretë për veprën “Me shpatë në dorë”.


Friday, March 5, 2021

Krijimtaria e pavdekshme e Agim Krajkës


Nga 
Leonard Veizi
 
Spektatorët e platesë në Teatrin e Operas ku zhvilloheshin Festivalet e Muzikës së Lehtë dhe ata që e shihnin spektaklin nga ekranet 28 poliç të televizorëve “Iliria”, ishin të bindur se çmimin e parë do ta merrte kënga “Kafe Flora, burra plot”.
Nëpër rrugët e Tiranës, në bulevardin qendror dhe në bordurat ku rinia shtynte pasditet e zvarrëta, motivi i këngës ishte kthyer në modë menjëherë pasi ajo ishte prezantuar.
Por jo. Kënga aq e famshme e kompozitorit Agim Krajka dhe e interpretuar nga e talentuara Lindita Sota u vlerësuar me çmim të dytë duke zhgënjyer shumicën absolute të ndjekësve. Vetëm një ditë më pas, “Kafe Flora, burra plot” pasi çmimi iu tërhoq. Ndërsa kompozitori i saj nisi jetonte ankthin e perspektivës së tij. Çfarë do të ndodhte pas kësaj???
Ishte Festivali i 11 në Radio Televizion. Vitet e liberalizmit kishin marrë fund. Sëpata që do të binte ashpër mbi njerëzit e artit e kulturës ishte ngritur...
 
...Ai mund të cilësohej pa frikë si njeriu i çmimeve të dyta në Festivale. Dukej se askush nuk guxonte t’i jepte një çmim të parë edhe pse këngët e kompozuara prej tij ishin motivet më të kënduara nga rinia. I njollosur në biografi, Agim Krajka nuk do të ishte aq i preferuar për juritë. Ndërkohë që popullariteti i këngëve të tij ngrihej festival pas festivali.
Gjatë karrierës së tij fitoi plot 19 çmime. Është nderuar me 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe një çmim të parë në festivalin e vitit 1987. Bashkëpunoi me Vaçe Zelën, Lindita Theodhorin, Parashqevi Simakun... Por do të ishin motrat Libohova, Irma dhe Eranda që do t’i ngrinin në piedestal vlerën e munguar, për të marrë çmimin e parë me këngën “Nuk e harroj”.

Kompozitori
Krajka ka qenë dhe mbetet ndër kompozitorët më në zë të Shqipërisë. Ai kompozoi pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë.
Kompozimi i tij i parë ka qenë kënga “Lemza” dhe është kënduar nga këngëtarja e madhja Vaçe Zela. Dy këngët që do ta pasonin ishin kënga e “Gjyshes” dhe “Djaloshi dhe shiu”, gjithashtu shumë të suksesshme dhe të kënduara në vazhdimësi nga disa këngëtarë të tjerë.
 
Fillimet
Jetëshkrimi zyrtar i kompozitorit, është i atashuar në faqen zyrtare të Teatri Kombetar të Operas, Baletit. Në të thuhet se Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij luante në disa instrumente muzikore, si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë i ati.
Në vitin 1963 Krajka fillon studimet për teori e kompozicion dhe i përfundon ato në vitin 1968. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1960 filloi punë në Ansamblin e Ushtrisë ku punoi 2 vjet. Në vitet 1962-1964 kalon në Radio Tirana si fizarmoniçist dhe drejtues i kompleksit të vogël instrumental.
 
Veprimtaria
Viti 1964 e gjen pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë.
Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë.
Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961.
 
Jo vetëm këngë
Kur flitet për veprimtarinë profesionale të Agim Krajkës nuk mund të lesh pa përmendur se ai ka shkruar një cikël me përpunime këngësh popullore për kanto e piano, uverturë rinore, romancë për violinë e orkestër simfonike , suitë me valle popullore për orkestër simfonike etj.
Dhe më pas ka vazhduar me kompozimin e muzikës për filmat: “Çifti i lumtur”, Zonja nga qyteti”, “Zonja nga fsahti”, Njësiti Gueril” etj.
Ndërkohë gama e veprimtarisë së tij artistike shtrihet dhe me kompozimin e muzikë skenike të baletit me një akt “Duarartët vigjëlentë” ekzekutuar nga TKOB në vitin 1981.
Përveç këtyre punimeve të mësipërme ka lëvruar mjaft motive vallesh të cilat janë nderuar edhe me çmime të para si: vallja e Librazhdit, vallja e Tiranës, vallja çame etj.
 
Emigracioni
Në vitet ‘90, si shumë të tjerë, Agim Krajka u largua nga Shqipëria. Pas një odiseje rreth 16-vjeçare në Amerikë, në vitin 2006 u kthye përfundimisht në Tiranë. Para disa kohësh në koncertin Gala “Të gjithë e duan Agim Krajkën”, presidenti Ilir Meta i akordoi artistit të madh dekoratën “Nderi i Kombit”, e cila u dorëzua në skenën e “ArTurbina” nga ish-Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Për aktivitetin dhe kontributin e tij artistik Krajka është vlerësuar me disa urdhra e medalje.
 
Epilogu
Kompozitori i njohur shqiptar Agim Krajka është shuar në moshën 83-vjeçare, të hënën e 1 marsit 2021. Fillimisht lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Ulis Krajka, i cili shkruajti në facebook: “Uroj që shpirti yt të pushojë në qiell babai ynë i dashur”.
Presidenti i Republikës është shprehur: “Personalitet i jashtëzakonshëm i muzikës shqiptare, me një kontribut të vyer për dekada në transmetimin e vlerave më të spikatura shpirtërore të kulturës sonë te brezat e rinj, trashëgimia e Tij e pasur artistike do të nderohet dhe do jetojë përjetë”.
Ndërsa Ministria e Kulturës i ka kushtuar një postim artistit të madh tek shkruante “Ngushëllimet më të ndjera familjarëve të kompozitorit Agim Krajka, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare. Me krijimtarinë e tij, ai do të mbetet i pavdekshëm”.

Thursday, March 4, 2021

Një “8 Mars” për burrat


Nga Leonard Veizi

Na gjeni një “8 mars” të gëzojmë dhe ne burrat, si gratë dikur, se po bëhen kohë që po na del djersa mbi kapotë e nuk po shohim një ditë të bardhë. Data kalendari ka plot.
A mos është kjo një ankesë e kotë?
Le ta shohim me qetësi. Pa vënë dorën në plagë...
Në fakt kjo është një thirrje që të del nga xhani, tek sheh burrat që kanë kërrusur kurrizin nga pesha e halleve dhe e kërkesës së llogarisë.
Iku koha e burrave. Për ata të vërtetët e kam fjalën. Që mbanin jataganë me dorezë fildishi e s'ta bënin të gjatë.
“Kësaj radhe fuqinë e kanë damat...”
Po kthehet epoka e matriarkatit.
Epo me të drejtë. Kishte më shumë se 5 mijë vjet që burrat bënin kokrrën e qejfit. Burrat në sofër, burrat në kuvend, burrat në luftë, burrat në harem... Ndërsa gratë shkonin te burri me “fishek në pajë”.
Pa prit një herë se ka radhë puna.
Sot kohët kanë ndryshuar. Jemi futur në vitet e arta të mijëvjeçarit të tretë të Erës Sonë. Gratë kanë dalë në sipërfaqe. Nuk e mbulojnë kokën me shami. Burrat janë futur në ujë.
Meshkujt e dikurshëm me mustaqe e gishtin te këmbëza e nagantit sot mbajnë mjekër të modeluar dhe çorape poshtë kaviljes.
Koha e patriarkatit po merr fund.
Prej vitesh as përgatitje ushtarake nuk bëhet më. Kallashnikovi është një armë me të cilën mëson të qëllosh në lule të ballit nga... playstation. Bela e madhe. E ç'na duhen burrat më kur nuk ka luftë? Ndaj me sa duket gjithmonë e më pak fjala e tyre ka forcë. Ose ndoshta kanë ndryshuar etalonet e peshës.
Femrat po marrin në dorë gjithçka. Frenat e jetës familjare, frenat e jetës shoqërore. Le po kanë marrë dhe frenat e jetës politike. "Shoqata e grave të bashkuara...",  "Gratë biznesmene...", "Forumi i gruas demo-sociale..."
Hajde fuqi, hajde.
Madje-madje femrat kanë marrë dhe frenat e ushtrisë. Vërtet nuk ka një grua me gradën “Gjeneral Brigade” por vetë gjenerali i brigadës drejtohet prej gruas së tij: "O koqe, hidhi forcat në sulm, s'e sheh se armiku po të merr krahët?!"
"Si urdhëron".
"O Zot, sa i paaftë..."
Tanimë dhe kabineti i kryeministrit mashkull është i përfshirë nga gratë. Serioze, të bukura, të veshura plot shije si “djalli me Prada”. Firma e tyre rëndon vërtet, për punët e shtetit e për tenderat. Nuk vlen vetëm për borderonë e rrogës.
Jo ta marrsha.
Iku koha kur firmosnin për 5 mijë lekë të qelbura tek uzina “Enver”. Le po quhej dhe “epoka e emancipimit”. A mund të ketë vlerë që femrat të “kapardisen” me opinga nëpër ara e brezare, pranë tornove, frezave e makinerive të tjera metalprerëse. Apo me çizme llastiku në ndërtimin e pallateve me tulla silikate e llaç.
-Ej llaç, llaç... Shoku Rropi, po pengoni punën...
Jemi në vigjilje të 8 marsit. Festës së gruas. Duket sikur në një ditë të vetme ato do të bëjnë namin. Sepse në 8 mars kanë gjithë të drejtën e Zotit të argëtohen.
Po burrat?
Të shkretët. Me rrjeta e torba mbushur me shpenzimet e radhës ndjekin nga pas gratë. Ato futen krenare në markatë dhe zgjedhin ushqimet e konservuara në kavanoza qelqi dhe kanoçe metali. Burrat kërkojnë të shkojnë andej nga sektori i pijeve alkoolike. Po kush të le...: "Këtu te turshitë. Mbaje dhe këtë bidonin me ujë se na mbaroi".
Thonë se për të mbajtur ujë në dasëm marrin një gomar.
E ja kështu vajti kjo punë.
- Mos u qaj, - i them bashkëshortes si për ta ngushëlluar. - Sot gratë janë forcë e madhe. Ku nuk i sheh: Nëpër show televizive... në podiume konferencash për ngrohjen globale... në...?
Bashkëshortja ime është fort e mirëkuptueshme. Më buzëqesh lehtë dhe ma bën me kokë duke drejtuar vështrimin tim.
-Edhe në...
Pranë nesh kalon një Range Rover, model i fundit. "Velar" më duket. Pazari nis me 80 mijë euro. Imagjino të jetë full option. Ajo brenda duket si mbretëreshë: Si Teuta apo Agjiroja. Vetullat tatuazh, buzët silikon, bashkë me takat 180 e gjatë. Nam i zi.
Më pas desh më vë rrotën një tjetër shofere, me Mercedez Benz GLS Class, këtë herë... Edhe me celular në vesh. Shyqyr që e mbajte këmbën, motër. Se do përfundoja te "trauma" në Laprakë. Me gjithë këtë autobuz që ke ti... Sa e ka çmimin kjo mor aman? Duhet parë në google. Aty zgjidhen të gjitha punët sot. Pastaj kalon një tjetër me Audi Q7... rresht, rresht, rresht... gra me makina prodhume të 2021. E të guxojë e të flasë kush për emancipim. Duket sikur nëpër rrugë ka vetëm femra me makina luksi. Ku janë burrat? Apo kanë përfunduar me “Panda” e “Smart”. Pika që s'u bie.
-Janë të zonjat. E paskan marrë patentën... - ia kthej unë i hutuar nga parada marramendëse.
A e dinë ato se çfarë është 8 marsi? Sa luftë, përleshje e viktima janë dashur që të simbolizohet kjo ditë? Me siguri e dinë. Jam i bindur që e dinë. Kur të mos kem njeri, e dinë. Por dhe po s'e ditën, e çë... Tek e fundit dinë që është një festë grash, ku mund të harbosh, të hidhesh e përdridhesh në lokal me dixhej deri sa djersët të të bien sikur ke dalë nga vaska me hidromasazh. Kohë pandemie vërtet, por i gjendet ana, se deri në 10 gra bashkë e lejon dhe kodi. Ja u zgjidh...
O zot çfarë qejfi!
Po ne burrat???
Thuhej se dikur nuk kishte festë për burrat ngaqë ata 364 ditët e mbetura të vitit, pas 8 marsit ishin në dispozicion të tyre. Festë e gallatë përditë. Ha e pi e mendjen mos e vri.
Por e thamë një herë. Kohët kanë ndryshuar. Ndaj ka ardhur dekika që edhe burrat të kenë “8 marsin” e tyre. “U meruam vëllezër, po bëjmë jetë qeni”. Se ua do dhe atyre xhani të pijnë e të bëhen xurxull me njëri-tjetrin e të shajnë në tym me libër shtëpie. Dhe ta harrojnë për një ditë të vetme kërkesën e llogarisë nga gruaja, m’u te pragu i avllisë: “Prapë ke pirë sot... ta piftë dreqi në bark”.
Na duhet një “8 mars” tjetër, burra. Këtë herë për burrat...

Tuesday, March 2, 2021

In memoriam / Pasuria e pakonvertueshme e Kujtim Gjonajt

Kujtim Gjonaj dhe Leonard Veizi

Nga Leonard Veizi
 
Ashtu si dhe të tjerët, artistë me punë shumë e “Mjeshtra të Mëdhenj” në tituj, edhe Kujtim Gjonaj u largua nga bota e të gjallëve, paqësisht. Nuk kishte ndër mend të dorëzohej, sepse ishte një luftëtar i epërm e plot kurajë. Por duket se dhe humbja ka vlerën e saj. Në jetën njerëzore po e po. Dhe është një vlerë që hera-herës ngrihet në madhështi.
Kujtimi iu fal vdekjes. Duhet të ishte ndjerë i lodhur së fundmi, disi i drobitur, por gjithsesi krejt i plotësuar. Dhe e ka lënë veten të lirë, të shkojë përtej e ta shohë botën e këtejshme nga një tjetër dimension. Aty ku na kanë mësuar ta quajmë Parajsë.
Betejat e mëdha i kish fituar me kohë. Pesë ditë më shumë në jetë, do të kishin vlerë të paçmuar për familjaret e tij, për gruan, vajzën, djemtë, e nipërit. Por për shumëkënd, koha në dispozicion e marrjes frymë, e thithjes së oksigjenit dhe çlirimit të dyoksidit karbonik është veç një konvencion a një nocion abstrakt. Sepse për anonimët, që nuk ishin të lidhur drejtpërsëdrejti me të, Kujtim Gjonaj është një emër i cili kishte vetinë e paçmuar që fjalët t’i kthente në pamje vizive, dhe kjo ishte më se e mjaftueshme.
Kujtim Gjonaj iku nga bota e të gjallëve. Kinemaja shqiptare humbi një prej korifenjve të saj. Dhe televizioni gjithashtu. Sepse ai nuk e përfundoi krejtësisht të gjithë angazhimin e tij ndaj tyre. Si kineast, skenarist e regjisor bashkë. Kishte bërë një mal me punë, kishte regjistruar në qindra e mijëra metra celuloid e shirita manjetik, por në “pension” nuk kishte ndër mend të dilte. Ndaj, projektet vazhdonin të qëndronin mbi syprinën e tavolinës së punës duke pritur t’u binte me laps.
Sot, në database-n e të dhënave të tij, rëndojnë me ton peshë titujt e filmave dokumentarë, të medaljeve, dekoratave të nderit e gjithfarë certifikatash të tjera mirënjohje. Sepse ai ka hedhur mbi një film bardh e zi, botën plot nuanca të Shqipërisë. Atë historiken, e modernen bashkë, mbështetur mbi jetën e burrave që bënë epokë. Ndaj pa frikë mund të quhet si babai i dokumentarit shqiptar. Jo sepse ishte i pari që e nisi këtë punë, por sepse punoi me të si askush tjetër. 150 tituj filmash mbante mbi shpinë. Dhe shumë të tjerë që ishin shtrirë nëpër skicë-projekte por që nuk mundën dot të merrnin formë.
Në këtë mënyrë ai vetë bëri epokën e tij.
Kjo ishte dhe pasuria më e madhe që ai na la. Një pasuri e pakonvertueshme.
Kujtim Gjonaj e solli historinë e Shqipërisë shumë pranë nesh. E thjeshtësoi, e bëri të kapshme, dhe na e dha gati. Duhet veç ta shijonim. Kjo histori erdhi përmes një realiteti të ri, pasi ai i dha figurën e munguar “Lidhjes shqiptare”, “Kryengritjeve të mëdha” për të vazhduar me Ali Pashën, Vëllezërit Topulli, Jeronim De Radën, Josif Bagerin, Hasan Tahsinin. E për të vazhduar më pas me emrat e epokës sonë: Nënë Terezën, Ramush Haradinajn, Panajot Panon, Abedin Dinon, Margarita Xhepën, etj,.
Kujtim Gjonaj bëri një jetë të larmishme e plot nerv, duke i rënë kryq e tërthor trojeve shqiptare, sepse vetëm kështu mundi të hulumtonte në vazhdimësi për të marrë lëndën e parë të heronjve të tij.
Një vit më parë, ende pa nisur furtuna e asfiksisë pandemike, botova në gazetën “Fjala” intervistën e fundit me Kujtim Gjonajn. Dhe tek e lexoja në ditën e ikjes së tij nuk mund t’i shtoja asgjë më shumë se sa kisha thënë më parë. Dhe ja çfarë shkruaja asokohe në hyrje të kësaj interviste: 
 
Kujtim Gjonaj dhe Leonard Veizi

...Ai është i ngopur deri në tej me titujt, dekorata plot shkëlqim ku janë stampuar gjithfarë figura emblematike, dhe kartonë bojë floriri ku kanë shkruar motivacione deri në superlativë. Dhe me siguri, nëse do t’i varte në qafë, do të shëmbëllente me Çezarin që kthehej nga ekspeditat ndëshkimore të Egjiptit, a me një Gjeneral Armate nga Lufta e Dytë Botërore, që pati marshuar me tank mbi Berlin. Ndaj shtesa në organikë e një “teneqeje” më shumë nuk është se i krijon pritshmëri a ndonjë efekt entuziazmi sipëror. Dhe nga përfitimi i ndonjë titulli tjetër të pamarrë, që do ketë mbetur në ndonjë cep sirtari administrativ, ka hequr dorë prej kohësh. Por, as me egon e pangopshme për ca para më shumë, nuk ka të bëjë më puna e tij. Gjithçka është e lidhur thjesht me pasionin që e ka pasur në mënyrë të njëtrajtshme përgjatë gjithë karrierës artistike, dhe që nuk i zbehet as nga koha dhe as nga hapësira e pamat. Imagjinata e tij vazhdon të kuadratojë imazhe të çuditshme njerëzish a ngjarjesh, të cilat kërkon me se s’bën t’i lërë si trashëgimi në celuloid apo negativin e një filmi. Dhe për këtë nuk i duhen noterë e as mbështetje në akte nënligjore, madje as kamera “Arriflex” demode, por vetëm një aparat dixhital e mikser shumëplanësh në montazh. Pas kësaj, puna vazhdon… Në krye të herës ai është dokumentaristi më i mirë në Shqipëri, me punë të krijuar organikisht si para ashtu dhe pas viteve ‘90. Madje njihet si regjisori që ka shkruar historinë, pasi pjesa më e madhe e dokumentarëve flasin për figurat më me peshë të popullit shqiptar. Në background-in e tij artistik numëron rreth 150 dokumentarë. Pesë më shumë apo pesë më pak, kjo nuk ka më kurrfarë rëndësie, dhe as e lëviz një gramë kandarin e tij të peshës. Thotë se në punën voluminoze që ka bërë jo detyrimisht çdo dokumentar merr rëndësi, për më tepër kur flitej se në Kinostudion e atëhershme kishte një plan që duhej realizuar medoemos. Por dhe po të heqim firon e menduar, sërish mes titujve të tij gjenden aq shumë materiale të vlefshme, se vetë ai do të mbeste në histori”.
 
Sot Kujtim Gjonaj nuk është më mes të gjallëve. Ka ikur larg...
...Puna e tij ka mbetur këtu.



Sunday, February 28, 2021

“Policia është me ne”


Nga Leonard Veizi
 
Tek dëgjoja këshillën e gruas që të vendosja maskën mbi hundë, ende pa dalë nga dera e shtëpisë, si burrë zamani që më gënjente mendja se isha, ia ktheva nën zë: Hë moj se nuk më gjen gjë!
Dhe vazhdova.
Po kush të lë të shkosh për dhjamë qeni?! Shyqyr shokë e miq kemi plot. Mos na lëntë Zoti pa ta! Ia pat një gjiton që më paralajmëron: “Ke policinë aty. Po s’pate maskë futu te kjo farmacia e bli një 300-lekëshe se ma hëngre 30-mijëshen”. U stepa. Jo ky është tamam mik pe vërteti. Të mbron krahët dhe buxhetin. Sidomos përballë strukturave të shtetit që jarebi nuk duan t’ia dinë se kush je, njeri publik apo jo publik.
Do bëhemi si Evropa apo jo???
Me shpejtësinë e rrufesë nxora maskën e bezes nga xhepi dhe e ngjesha në fytyrë. Ku ka trimëri këtu.
Dhe me të drejtë, pak më poshtë një çift policësh, një femër dhe një mashkull demek, kishin ndaluar dy femra, pa maska, njëra që po nxitonte për në shkollë dhe tjetra që kishte ulur në tokë dy qese ushqimesh. Të dyja po e prisnin qetësisht vendimin për gjobë. Ç’t'i bësh, e përmban ligji. Dhe me tre gjëra nuk bëhet shaka në këtë jetë: me zjarrin, me ujin dhe sidomos me qeverinë.
Tek shihja skenën makabre të gjobvënies nuk di pse ishte gati të më dilte nga fyti shprehja: “Policia është me ne”. Si të doja t’i jepja një mesazh patrullës policore: “Merreni ca qetësisht vëllezër, nuk janë kriminelë...”
Pak më tutje situata u përsërit. Sërish policë me blloqe gjobash duke shkruar. Këtë herë viktimat ishin një djalë dhe një vajzë.
Ç'është kështu? Fushatë?
“Policia është me ne”!
Në vitin 1991, kur shqiptarët u sulën të rrëzonin monumentin e Enver Hoxhës nga piedestali në mes të Tiranës, nisën dhe thirrjet: “Policia është me ne”. Ai që e tha i pari mbeti anonim, por shprehja në fjalë u masivizua brenda 30-të sekondash. Qëllimi ishte i thjeshtë, të mos hanin dru me shkopa gome, megjithëse këtej e andej gardhit e kishin qëlluar njëri-tjetrin me ç’të mundnin, armë të ftohta e mjete rrethanore. Por meqë policia kishte dhe ca vegla më shumë, u pa e arsyeshme të gjenin fjalën me njëri-tjetrin. Se dhuna pjell dhunën, thonë.
Ky ishte xhoinvenshëri i parë modern, ku populli kërkonte të “inkriminonte” dhe strukturat e shtetit në një veprimtari antishtetërore, siç ishte sulmi ndaj busteve e shtatoreve, të cilët kishin nisur të mbroheshin dhe me një ligj të veçantë.
Bashkë me sentencën “policia është me ne” nisën puthjet e përqafimet me djemtë e policisë që mbanin skafandra në kokë, por që u kishte ngrirë shkopi i gomës në dorë. Ca prej tyre i hoqën skafandrat e mburojat plastike, u çliruan nga djersët dhe u shkrehën.
Monumenti shkoi për lesh.
Në fund të fundit shqiptarë ishin të dyja palët: ca këndej hendekut e ca nga ana tjetër.
Asokohe policia e kishte dorën goxha të rëndë. Të fusnin ndonjë shkop në ndonjë qoshe pallati, por të rrihnin sa u hante palla e dorës kur të rrasnin brenda në qeli.
-Emrin...? - Vuuuu druri. - Si e ke emrin mor po të them?
-Aman ore mos gjuj dy herë me një vend...
-Emrin e babës?
Vuuuu druri sa të këputej kërbishtja, nga sytë të dilnin xixa, e  truri të ikte vendit.
-Ça emri do mor jahu... Unë s’mbaj mend emrin tem jo të babës...
Iku ajo kohë.
Në vite shprehja nisi të harrohej sepse dhe policia nisi të ndryshonte. Ndryshoi uniformën, ndryshoi sjelljen... Nisën reformat. Policët nisën të quheshin “ruajtësit e rendit”. Nuk ishin më në ruajtje të diktaturës së proletariatit.
30 vite më pas, në vitin 2021, është bërë imediate që thirrja “Policia është me ne”, të dalë përsëri në shesh. Gjatë gjithë këtyre viteve u kuptua se shqiptarit nuk ia del dot me të keq. Domethënë rrihe sa të duash, i është bërë kurrizi shollë e s’do t’ia dijë nga ajo anë. Ndaj nisi strategjie e re. Një strategji paneuropiane e panamerikane të marra së bashku. Nisi epoka e gjobave. Këtu po, të dhemb kurrizi dhe xhepi bashkë me të.
Për një farë periudhe, shoferë e drejtues automjetesh me nga një muaj kurs zunë tmerr.
-Pse s'e mban rripin e sigurimit? 10 mijë lekë të vjetra gjobë.
Si urdhëron! Jo me të drejtë se vihet në hesap koka.
Para do kohëve policëve u lindi e drejta të mbanin një përqindje për çdo gjobë. Hajde ç’vinte, hajde. Kështu që... o burra kush të vinte sa më shumë gjoba. Kur u teprua u tha se ishte praktikë e gabuar.
Ta mbyllim vëlla, të shkuara e të harruara! Se këtu vetëm gabime bëhen.
Tani në periudhën e artë të pandemisë ka ndryshuar formula. Policia është dinjitoze. Nuk korruptohet më nga përqindje si bakshish kamerierësh.
-Ku e ke maskën? 30 mijë lekë të vjetra gjobë.
Dale o babam,,, bo, bo, sa dorë të rëndë paske. Se këto kohë s’kemi punu fare.
Epo kaq e ka ligji. Po e përsërite e ha më keq.
Recidivist, demek.
E drejtë në fakt, se mirë që e merr kovidin për vete, ngaqë nuk dihet ku e fut hundën, por ua çon edhe të tjetrëve drejt e te rryli i fytit.
“Policia është me ne”, bramp paret nga xhepi. Aman o se jemi shqiptarë. Të paktën mos qëllo dy herë në të njëjtin vend se s'e mbaj më.
Por policia e ka marrë seriozisht detyrën.
Një ditë vendosa të numëroj sa gjoba do viheshin, përgjatë rrugës që shkoja për në redaksi. 30 minuta gjë ishte. Dita e parë: 6-të gjithësej. Çudi e madhe, 5 femra dhe 1 mashkull. Rastësi, besova.
Një ditë më pas raporti ishte 3 femra dhe një mashkull. Ore, vërtet çudi? Por jo aq e madhe. Të ishte një diskriminim seksist??? D.m.th, një polic mashkull ndalonte si të pamaskë një femër dhe niste t’i vinte gjobë...???
“Mjaft me dyshime gazetarësh” - i thashë vetes, - “policia është me ne”.
Ditën e tretë një patrullë po tentonte të hipte në makinën bardhë e blu me alarme ndezur një 18-vjeçar. Ai jo vetëm që s’kishte maskë, por nuk kishte as kartën e identitetit.
Ky meritonte ta hante sa krahu. Në Rajon e kishte vendin.
Me të drejtë. Se po e more në shtëpi edhe do ta sajdisësh. Ndërsa në Rajon një çapë buke e një gavetë supe do ai. Apo ndoshta është më mirë me i fut një gjobë e me këtë rast rregullon dhe bilancin e buxhetit, se sa të merresh me shkresurina.
Ha debat muhabeti.
Këto kohë policia është bërë po aq e frikshme sa dhe në vitet e arta të Diktaturës së Proletariatit. Tani s’di as nga të ruhesh, se mbi shpinë ke tre lloj policie: atë të rendit, policinë rrugore dhe policinë bashkiake. Të qethur e të hekurosur për merak, polici nuk nxjerr më shkopin e gomës nga milli, por bllokun e gjobave nga xhepi.
-Emrin...?
Vu gjoba
-Emrin e babës...?
Aman ore unë s’mbaj mend emrin tim tani. Duhet me punu tre ditë të shlyej gjobën. Apo s’jemi dhe në kohë pandemie. Osht tremb leku. S’ke ku e gje.
Tanimë gjëja e parë që kontrolloj para se të dal nga dera e shtëpisë është maska. Më mirë të dukem si hajdut pulash se sa të më rrasin gjobën ata të policisë. Se nuk ta zgjasin hiç. Në mbrojtje të ligjshmërisë e kushtetutshmërisë, sigurisht.

 

Thursday, February 25, 2021

Leonard Veizi mes shkrimtarit dhe gazetarit




Autori i 11 librave, mes tyre 6 romane, 4 tregime, novela dhe 1 publicistikë, Leonard Veizi është një ndër emrat më të spikatur të gazetarisë dhe letërsisë shqipe në tre dekadat e fundit. Në emisionin “HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU” Leonard Veizi flet për krijimtarinë e tij mes letërsisë dhe gazetarisë. Çfarë ka ndikuar në pasionin e tij për të shkruarën si dhe projektet për të ardhmen.
 
-Zoti Veizi, ju keni një karrierë të pasur si në gazetari ashtu edhe në letërsi, por nga anoni më shumë?
-Ka plot gazetarë që thonë se ndodhen aksidentalisht në gazetari, por unë nuk hyj tek ata. Nuk mund të them që vij rastësisht në gazetari. Personi që më rekomandoi kishte lexuar shkrimet e mia.
 
-Kush ishte ky?
-Llazar Vero, gazetar i vjetër i gazetës “Bashkimi”. Ai më orientoi te kjo gazetë në vitin 1991 ku kryeredaktor ishte Qemal Sakajeva. Faktikisht unë aty kam filluar si korrektor. Dy muaj pasi kisha filluar punë në gazetën “Bashkimi” propozova që të bëja një shkrim. Ata e mirëpritën këtë propozim dhe të nesërmen kur kam parë emrin në gazetë ndjeva një emocion të papërshkrueshëm.
 
-Dhe më pas si arrite që në vitin 1997 ke nxjerrë librin “Grahma e shpirtit në mjegull” ?
-Minimalisht që nga mosha 14 vjeç unë e ndava mendjen me veten time që do isha një shkrimtar në të ardhmen. Fjala shkrimtar në fakt edhe sot më duket e madhe. Pikësynimin e kisha shumë të qartë megjithëse isha futur në një shkollë profesionale, Harry Fultz sot. Poezitë e para datojnë që nga mosha 11 vjeç. Mbaj mend që kam shkruar një vjershë për dëshmorët, por që nuk ia mbaj mend vargjet.
 
-Cili shkrimtar ka ndikuar te ti?
-Pasi kisha lexuar pas një farë kohe letërsi të mirë, deri në moshën 14-vjeçare, një ditë të bukur zbulova Balzakun. Kur njoha Balzakun unë u shpërfytyrova në kuptimin e mirë të fjalës,
 
-Pse pikërisht te Balzaku?
-Forcën goditëse e kishte shumë të madhe dhe e kam filluar me Xha Gorionë. Unë ende vazhdoj të jem i dashuruar me Balzakun sado që lexova më pas Hygonë dhe shumë të tjerë. Ndërsa nga shkrimtarët shqiptarë padyshim që ka ndikuar Kadareja.
 
-Pse Kadareja?
-Ka qenë viti 1980 kur bashkë me prindërit shkojmë te kinema “17 Nëntori” dhe shikojmë filmin “Ballë për ballë”. Filmi më la një mbresë të jashtëzakonshme pasi flitej për skena masive, skena lufte, dhe kërkova librin. Ky është impresioni i parë nga Kadareja. Po u fute me impresion pozitiv, ashtu ngelet gjithë jetën.
 
-Vijmë në vitin 1998 “Ngrehina e përhumbjes”, tregime.
-U bë shpejt. Shkoj e mbyllem në Bibliotekën Kombëtare dhe brenda një muaji kam rreshtuar 25 tregime të shkurtra. Çdo ditë bëja një tregim. Në fakt ato janë si synopsus të cilat po më shërbejnë për të kapur tema. U bënë në shpejtësi e sipër dhe me euforinë e librit të parë, nxora librin e dytë.
 

-Në vitin 2005 nxjerr librin “Treni i fundit i metrosë”.
-E pashë që nuk bëhej shaka me letërsinë. Dhe kam bërë disa vite pushim. Ose më saktë, punoja çdo ditë, por nuk botoja. Se fillimisht autori mendon se shkruan për veten e tij. Pastaj kujton se është përballë një lexuesi i cili do dhe ai pjesën e vet. Kështu që u mendova mirë kësaj radhë për të nxjerrë vëllimin e tretë, “Treni i fundit i metrosë” i cili më dha shumë dorë.
 
-Ndërsa në vitin 2006 nxjerr librin “I dënuar me vdekjen”.
-Projekti fillestar ishte në 12 novela, por meqë shtëpia botuese fillimisht më pranoi vetëm 4. Kështu që kisha akoma për të prodhuar një libër tjetër.
 
-Pas 4 librave me tregime, ju vini në një stad tjetër duke shkruar romane.
-Doja ta provoja veten edhe në roman. Pas dy romaneve të para, kuptova thellësisht që të paktën tregu shqiptar ishte i orientuar nga romani. Pra, ishte më e thjeshtë të shisje një roman me një titull sesa një libër me 20 tregime, apo ne 5 novela.

-Cili është romani me të cilin je ndjerë më mirë dhe më tepër i vlerësuar?
-Sa herë botoja një roman ndihesha mirë, pastaj vinte tjetri, vinte tjetri e kështu me radhë. Por mendoj që më mirë jam ndjerë te “Orgji në
famullinë e at Ludovikut” për të cilin them që në 11 librat mendoj që është ai ylli në krijimtarinë time, është pika më e mirë, ndoshta më e larta. Por edhe te “Lora” dhe te “Rrënimi”. Me këto tre tituj do thosha që kam marrë shumë benefite personale. Nuk po them që kam bërë namin në shitje apo
jam bërë i pasur, thjesht ka shkuar te lexuesi dhe jam i kënaqur.

-A kemi ne në Shqipëri një letërsi tipike post-komuniste?
-Po tani e kemi. U humb orientimi në vitet 1990-2000. Një 10-vjeçar ka shkuar kot, madje edhe ato që dolën kishin një ngërç të madh sepse ishte problemi i kapërcimit. Por pas viteve 2000 u kapërcye ky ngërç dhe tani mendoj që ka letërsi jo vetëm post-komuniste por është një letërsi e shkrirë me atë të letërsisë europiane.
 
-Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi, në një intervistë që i kam marrë deklaroi se në nëntor do të mblidhet Kongresi i Albanologjisë dhe një nga objeksionet e kësaj do jetë gjuha standarde. Nuk pritet të ketë ndryshime thelbësore por një nga ndryshimet mund të jetë që fjalët e huaja të shkruhen siç shkruhen në gjuhën e tyre.
-Unë mendoj që duhet të shkruhet siç shqiptohet. Siç e kanë lënë në vitin ’72. Unë jam i ndjeshëm ndaj gjuhës, aq sa mund të jem. Mbas viteve ’90 gjuha standarde u sulmua. Deri tani nuk i është bërë asgjë. Mua standardi më duket i qepur me dorë, kaq i bukur dhe kaq tingëllues. Dhe jam dakord ashtu siç është lënë në ’72, shkruhet siç shqiptohet.
 
 -Ju jeni një lëvrues shumë i mirë në zhanrin e dosierit. Çfarë mund të thoni sot që ju me anë të dosierit keni zbuluar dy-tre fakte që mbeten në histori?
-Unë në fakt e kam gati për ta botuar, por po ngurroj. Mund të them që kam një histori të plotë, ndoshta e kam më të mirën e mundshme, të bëj historinë e armatimit ose ushtrisë shqiptare nga viti 1945 deri në vitin 1997.
 
-Ç’të lidh ty me këtë?
-Rastisi që mora 30-40 ose shumë më tepër ushtarakë të lartë në intervistë dhe po t’i mbledh të gjitha aty bëj historinë e ushtrisë shqiptare nga 1945 deri në 1997 vetëm me ushtarakë të lartë të cilët flasin për problematikën në ushtri.
 
-Dhe cili fakt të ka bërë më shumë përshtypje?

-Që ne kemi pasur armatim sa për gjithë Europën.
 
-Keni 30 vjet që punoni si gazetar. Si është media shqiptare sot?
-Në vitet 2000-2010 unë them se është bërë një gazetari e shkëlqyer në Shqipëri.
 
-E shkëlqyer?
-Shumë e mirë. Gazetari lajmi, gazetari investigative, se sot përveç nja dy emisioneve televizive nuk ke më gazetari. Sot për mua ka marrë fund.
 
-Pse, çfarë ndodhi?
-Sepse u fut kjo që ne sot e quajmë media online. Dhe ajo e shkatërroi gjithë sistemin. Njerëzit të gjithë janë mbi një celular që marrin lajmet në mënyrë të shpejtë dhe të pakontrolluar gjë që i çon në marrjen e informacionit të gabuar. Ne kemi 900 portale pak a shumë zyrtarisht, nga të cilat serioze janë ato që kanë përgjithësisht një gazetë apo televizion nga pas. Janë 15-20 të tilla. Kështu që mbizotërojnë ato që nuk kanë profesionalizmin e duhur. Çdo gazetar televizioni apo edhe online, duhet të kalojnë domosdoshmërisht një kurs 2-vjeçar në gazetë. Të kuptosh se si bëhet lajmi.  



Thursday, February 18, 2021

Lefter Çipa në eterin e përjetshëm


Nga Leonard Veizi
 
Artistët po ikin njëri pas tjetrit. Pa radhë, pa konfuzion, pa ditirambe. Në një qetësi të plotë e thuajse të frikshme...
Teksa marrin rrugën për në banesën e fundit, shoqërohen nga një kortezh miniaturist, në distancë, pa shtrëngime duarsh e përqafime për të shprehur dhimbjen. Por vetëm me lotë të vetmuar. Zija është një luks tanimë. Po braktiset. Nuk mund të mbahet.
Kemi fituar kulturë pandemie. Për mort nuk dërgojmë telegrame ngushëllimi por hedhim statuse në rrjetet sociale dhe ato asociale.
Lefter Çipa iku.
Ishte artist, poet e studiues si ai. Ndoshta i fundit e pa pasardhës.
Nuk është e thënë se për të duhet të luante një marrsh banda e shtetit. Dhe pse gabim nuk do ishte gjithsesi. As arkëmorti nuk kish sens të vendosej mbi një shtrat topi. Sepse në fund të fundit ai ishte një poet. Sepse një poeti me shpirt të ndjerë, mjetet luftarake e ndonjë batare armësh të shkrepura drejt qiellit, do t’ia trembnin brishtësinë e gjumit të sapozënë. Dhe pse në fakt ai vinte një vend i ashpër e luftarak siç është Piluri i Himarës dhe Vlorës marrë së bashku.
Aleksandër Çipa, mik dhe koleg gazetar, por dhe djali i Lefterit të Madh, bënte të njohur faktin e hidhur vetëm me një fjalë “Lamtumirë”. Dhe më poshtë postuar një foto e babait me kostum të bardhë, si ne kohën e djalërisë së hershme. Ky ishte lajmësi.
Pas tij, rrjeti, - ai sociali dhe asociali në mund ta quajmë kështu, - do të mbushej me statuse të njëra pas tjetrës.
“Poeti na la...”
Poeti kishte ikur vërtet. Poeti i polifonisë. Nuk kish dyshime. As lajm i fabrikuar nuk mund të ishte. Ikja e tij ishte po aq e zhurmshme sa ishte dhe e heshtur njëkohësisht. Ndërsa lajmet poshtë e lartë nëpër portalesh gjithfarësh, bënin të ditur se prej gati një viti poeti përpëlitej me sëmundjen e tij në një luftë të ethshme për mbijetesë.
Por nuk ia doli dot këtë herë.
Aleat me duhanin që nuk e ndante nga dora, kundër vetes, në një aleancë tjetër me optimizmin për ti mundur dy të parët. Por fati njerëzor dihet. Herët a vonë duhet ta lesh këtë botë. Nuk e thonë librat e shenjtë. E thotë vetë jeta, cikli i saj. Vërtet, Lefteri nuk ishte aq i madh në moshë sa të thuash se e kishte ngrënë livadhin e vet e nuk kishte çfarë të bënte më mbi dhe. Ishte 79-vjeç. La pas një thesar të vërtetë; 18 libra me poezi. Por është gjithashtu dhe autor i rreth 1250 këngëve. Kaq thuhet në jetëshkrimin e tij zyrtar. Po kush ia numëroi... Sepse me gjasa mund të jenë edhe dhe ca më tepër. E padyshim, mund të bënte më shumë se kaq. Sepse Lefter Çipa ishte i lindur për të thurur vargje. Atij vargu i buronte. Nuk kish nevojë ta thërriste, as ta kërkonte. Poezia ish me të, gjatë gjitha kohës.
Me të drejtë i madhi Dritëro Agolli, për poezinë e Lefter Çipës do të shprehej “Ai nuk merr fryme, po frymon poezi”.
Lefter Çipa konsiderohet si "princi i sotëm" i polifonisë shqiptare. Dhe të ulesh në fronin e princit nuk është e lehtë. Sepse nuk ka një mbret që të ta dhurojë fronin për shkak të lidhjes së gjakut apo të ADN-së së përbashkët. Për të qenë një “princ poetik”, e për më tepër i një gjeje fort të rrallë siç është polifonia, të duhet shumë talent, shumë muze dhe shumë punë gjithashtu. Lefteri i kishte të tria. Dhe jo më kot vlerësohej si autori më kreativ i polifonisë gjatë 40 viteve të fundit.
Madje vlerësohej si një prej studiuesve dhe hulumtuesve më këmbëngulës të poezisë orale popullore në trevat jugore të vendit.
Ai ka qenë pjesëmarrës me krijimet e veta në gjashtë Festivale Folklorike Kombëtare të zhvilluara në Gjirokastër, Berat dhe Lezhë duke qene i laureuar në çdo njërin prej tyre.
Por sot nuk është më në botën e frymorëve. Dhe ndoshta kjo nuk ka pikë rëndësie. Sepse ai dashur a pa dashur, e ka çuar emrin në përjetësi. Në eter, polifonia dhe vargjet e tij lëvizin shtruar e janë të gjalla në çdo kohë. Do të humbin vetëm nëse atmosfera do të shpërbëhet e Toka të kthehet në një planet të ngurtë e pa jetë. Por me gjasa kjo kërkon edhe disa miliona vjet të tjerë. Prandaj dhe quhet: përjetësi.
Ikja e Lefterit i ka shqetësuar miqtë e tij, artistë e politikanë qofshin ata.
“Poeti i vargut elegant, i poezisë me dritë rapsodi famëmadh që rilindi këngën e Bregut”, - do të thoshte për të shkrimtari Sadik Bejko.
“Miku, poeti dhe njeriu që s'kishte frikë nga vdekja”, -  do të shprehej muzikologu akademik Vasil Tole.
“Krijuesi brilant i Bregut, me frymëzim thellësisht kombëtar”, - do të shkruante presidenti Meta.
Ndërsa vlerësimi i kryeministrit Rama ishte: “Zëri gurgullues i bregut shqiptar”
Vetëm pak muaj më parë Lefter Çipës i ishte akorduar titullin “Nderi i Kombit”. Ndërkohë ai ishte mbajtës i urdhrit “Naim Frashëri” në të tre klaset e tij. Ndërsa para pak ditësh u botua vepra e fundit përsa ishte gjallë “Njerëz me dritë”.
Dhe si shumë poetë të tjerë edhe Lefter Çipa e paralajmëron ikjen e tij në një prej poezive, në atë me titull: “Shpirti në venitje”, ku shkruan:
 
Si kalojnë vitet, si gjumi në varre,
Fuqia më pritet, gjaku s’më ka zjarre.
Shpirti më venitet, se s’pret më behare,
Nëpër mall zvarritem, shpresa s’duket fare.
 
Apo si në vargjet e tjera të poezisë “Shpirti im në amanet”

Ikën zogjtë, ika unë,
Lamtumirë o miq dhe shokë!
Do shkoj atje ku kam punë,
Do shkoj në një tjetër botë

Lefter Çipa iku... Por në fakt ai vazhdon të jetë midis nesh.
 

Krijimtaria
Mes poezisë dhe isopolifonisë
Lefter Çipa është autor i një numri shumë të madh të këngëve popullore dhe polifonisë labe.
Ishte konsideruar si një vlerë Kombëtare pasi pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij ia përkushtoi “Polifonisë Labe”. Polifonia është një vlerë e popullit shqiptar dhe gjithashtu është edhe në listën e mbrojtur nga UNESCO.
Këngët e njohura si “Bejkë e bardhë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Kënga e manushaqes”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Këngë kurbeti”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Zoga kaçake në male”, “Zonjë e bukurisë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë” dhe shumë e shumë të tjera janë pjesë e krijimtarisë se tij.
Por Lefter Çipa është gjithashtu dhe autor i 18 librave të botuar me poezi si: “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, "Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”,”Princi i Dashurisë”, etj.


Monday, February 15, 2021

Andon Qesari, ikja e heshtur e mjeshtrit të skenës

In memoriam
 
Regjisor, aktor e pedagog, u nda nga jeta në 13 shkurt 2021, duke lënë pas një galeri karakteresh të realizuara prej tij si dhe shumë pjesë teatrale të ngjitura në skenë



 
Nga Leonard Veizi
 
-“Zotat nuk duan që unë të ta fal lirinë. Unë tani po iki e dashur dhe po shkoj tek nxënësit e mij në klasë. Më puth Klea”.
Batutat e realizuara prej tij me mjeshtëri mbahen mend mirë, jo vetëm në skenën e teatrit por edhe në kinematografi:
-“Zoti komandant. Ky spurdhjaku këtu thotë se ky kalë është për zotërinë tuaj”.
Ai është Andon Qesari, herë në rolin e një filozofi në antikitet e herë në rolin e një ballisti gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe po aq batutat e tij mbahen mend gjatë episodit kur ai mbante veshur kostumin elegant të oficerit të kuesturës fashiste:
- “Bëhu i arsyeshëm djalosh. Je i ri. U gabove. Ja ta falëm. Por duhet të pohosh se kishe një minë”...
 
...Vdekja e tij kaloi në heshtje. Nuk ishte vetëm heshtje pandemike. Ishte një heshtje që mbytej prej zhurmës së tallavasë. Dhe kjo nuk është shenjë e mirë hiç. Sepse një artist, i cili e kalon përmasën e të zakonshmes dhe futet në një tjetër dimension, duhet të nderohet në të gjallë dhe në vdekjen e tij.
 
Lajmi
Andon Qesari u nda nga jeta të shtunën e 13 shkurtit 2021. Ishte 78 vjeç dhe prej kohësh nuk ishte parë në ambientet artistike dhe as në ato të miqve. Zyrtarisht lajmin e bëri të ditur djali i tij, Edon Qesari, i cili në rrjetet sociale bënte të njohur: “Të dashur miq e të njohur. Sot në mëngjes, pas një sëmundjeje të gjatë, e cila e kishte rënduar dhe sfilitur shumë në vitin e fundit, i dashuri babai im Andon Qesari u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare. Dashuria e tij e pamat për ne, familjarët dhe njerëzit e tij të afërt, përpjekjet për të na dhënë një jetë me dinjitet dhe begati, pasioni i vyer artistik që e shoqëroi gjatë gjithë jetës dhe shënoi një karrierë të paharrueshme në teatrin shqiptar dhe studimin e artit, humori i hollë që e spikaste, janë trashëgimia më i çmuar që na la. Të dua Ba’ dhe mirupafshim në një jetë më të mirë...”
Por atë ditë, - çuditërisht në fakt, - rrjetet sociale ishin të zëna. Sepse anë e mbanë vendit po ndodhnin gjëra më të rëndësishme se kaq. Ca njerëz prisnin të binte bora në Tiranë. Sepse bora është një gjë shumë e rrallë në kryeqytetin e shqiptarëve. Dhe rënia e saj krijon një ilaritet foshnjarak. Ca të tjerë po shkërmoqnin deklaratat politike të krerëve me qëllim që t’i nxirrnin fundit kundërshtarit. Sepse flitej për çështje lekësh, buxhete të shqyera, probleme matematike me rezultate të gabuara e gjumë të thelluar mbi minder. Për më shumë se kaq, të nesërmen, akoma më keq, veç borës që kishte mbuluar pemët, çatitë dhe kofanot e makinave, u shfaq Shën Valentini. Dhe Shën Valentini është një festë e programuar, jo si vdekja që vjen pa paralajmërim. Ndaj rrjeti u mbush me gjithfarë fotosh ku Tirana e mbuluar nga smogu, këtë herë kishte gdhirë e bardhë dhe e vetëpastruar. Ndaj për Andon Qesarin, dhe ikjen e tij të pakthyeshme, mbeti më pak vend.


In memoriam
Ai ishte një aktor i shkëlqyer i plejadës së artë të aktorëve shqiptar, regjisor e pedagog gjithashtu. Një nga emblemat e skenës dhe ekranit. Mjafton të themi se emri i Andon Qesarit është i lidhur ngushtë me komedinë e famshme “Pallati 176” si një bashkëregjisor i saj, dhe kujtdo prej nesh do të na shkonte buza vesh më vesh, e do të mendoheshim ca më thellë rreth aktivitetit të tij artistik. Dhe Andon Qesari ishte nga ata që kishte një aktivitet fort të pasur, në të tre dimensionet e tij artistike.
Një nga studentet e tij të dikurshme, sot një regjisore jo pak e njohur, Elma Dorezi, në “in memoriam” në i bën mësuesit të saj të dikurshëm shkruan:
- "Sa jemi zënë në akademi o profesor, po aq dhe jemi përqafuar në rrugëtimin tim .'Gjetjaaa. Nëse nuk ka gjetje nuk ka shfaqje. Vënie në skenë mund ta bej dhe një student i gjuhëve të huaja. Atmosfera. ' Etj, etj, etj... Sa herë na i përsërisje. Sa here na tregoje shembuj".
Dhe kaq duhet për të treguar se si reagonte një shpirt rebel si i Andon Qesarit, teksa mundohej të jepte më të mirën për ata të rinj që aspironin skenën.
 
Karriera
Në jetëshkrimin e tij të shkurtër thuhet se: Andon Qesari, lindi në Qeparo më 27 qershor 1942. Më 1966 u diplomua për aktor në shkollën “Aleksandër Moisiu”. Pas diplomimit emërohet aktor në teatrin profesionist të Vlorës. Në vitin 1972, kalon pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Në vitin 1975 rifillon aktivitetin e tij artistik si aktor, por në Teatrin Kombëtar.
Ka interpretuar shumë role, duke filluar nga Besniku “Shënomëni dhe mua”, Feni “Furnalta”, Vurmi “Intrigë dhe dashuri”, Qamil Beu “Epoka para gjyqit”, Aleksi “Doktori pacient”, Luixhi “Tragjedia e Deas”, Zeusi “Prometeu”, At Kormili “Monserati”, Kryetari “Vizita e damës plakë”, Ksanthi “Ezopi”, Komisari “Opertunesku”, Kapuleti “Romeo e Zhulieta”, Berlingu “Vizita e inspektorit”, Konti “Fernando Krafi më ka shkruar një letër”, etj.
Por ai ishte i suksesshëm edhe si regjisor, e sidomos në pjesët: “Karnavalet e Korçës”, “Pallati 176”, “Nën dritat e skenës”, “Në jetë”, “Valsi i Titanikut”, etj.
Në kinematografi mbahet mend në të paktën 16 filma: tek “Sekretet”, “Tingujt e harresës”, “Dashuria e fundit”, “Stolat në park”, “Tela për violinë” etj.
Ndërkohë Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në një nga njoftimet e tij ka bërë të njohur se Prof. i assoc. Andon Qesari, falë bashkëpunimit me AQSHF, ka botuar dhe librin: “Unë, Ti dhe Teatri, teatri dje, sot dhe nesër”.
Andon Qesari  është nderuar me titullin “Artist i Merituar”. Gjithashtu ai dhe mbante dhe urdhrin “Mjeshtri i madh”  akorduar nga Presidenti i Republikës.