Wednesday, February 9, 2022

Në gjenialitetin krijues të Dostojevskit


Nga Leonard Veizi

 
Ai konsiderohet si paraprijësi apo themeluesi i ekzistencializmit të shekullit të XIX. "Vendi i tij vjen menjëherë pas atij të Shekspirit", do të shkruante Sigmund Frojd. Dhe jo pa shkak, por sepse pikërisht ai kishte eksploruar me themel psikikën njerëzore.
E po të vazhdojmë të citojmë çfarë kanë thënë për të nuk do të mbarojmë kurrë. Por vlerësimin e Stefan Cvajgut nuk mund ta lëmë pas dore, sepse mes të tjerash ai është shprehur: “Letërsia botërore nuk njeh krijime më të përsosura...”.
E kishte fjalën për Fjodor Dostojevskin.
Revista “Time”, e disa viteve më parë në një studim të publikuar, - ku shprehte mendimin e 125 shkrimtarëve dhe kritikëve të njohur në mbarë botën, - vlerësonte si më të famshmin shkrimtar në kohë, Tolstoin. I dyti pas tij vinte Shekspiri. Dhe sipas kësaj logjike gjysmë matematikore por krejt pas sens, Dostojevski duhet të renditet i treti në radhën e shkrimtarëve botërorë. Dhe i treti, në të gjitha rastet, po ashtu si dhe në sportet gjithëllojesh, je fituesi i një medalje bronzi. Nëse do të besojmë se kjo është pikërisht kështu, atëherë mund të themi plotësisht, se Fjodor Dostojevski ka marrë atë që asnjë shkrimtar pas tij, nuk do të mund ta arrinte dot, edhe pse të nderuar me çmimin e shtrenjtë Nobel.
Ndërkohë që në letërsi, dhe artet e tjera në përgjithësi, renditja sipas pikëve nuk ka kurrfarë rëndësie. Dhe kur ato t’i japin njerëz të rëndësishëm të fushës, si në rastin e anketës së “Times” ku vlerësimi që merret për bazë është nga 125 shkrimtarë prestigjiozë. Veç kësaj, vetë Tolstoi i admironte veprat e Dostojevskit duke i konsideruar ato si madhështore.
Por le të mos merremi me renditje, të cilat lëvizin gjithmonë në bazë të institucioneve që i bëjnë dhe të anketuarve. Të vijmë tek Dostojevski...
“Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari”, është një nga shprehjet e njohura të tij, e cila qarkullon rëndom po ashtu si dhe shumë citate të tjerë që njerëzit e pasionuar mundohen t’i mbajnë mend dhe t’i citojnë.
Në planin e përgjithshëm Fjodor Mihajlloviç, njihet si shkrimtar, eseist dhe filozof. Por në të vërtetë ekzistencialisti rus është aq i famshëm sa vepra e tij ka ardhur thuajse e plotë në gjuhën shqipe. Është marrë me korpusin e veprave të tij një nga mjeshtrit e përkthimit, Jorgji Dhoksani. Por padyshim, Dostojevski ka ardhur në shqip edhe mes shqipërimeve të tjera paralele. Nuk mungojnë në raftin e botimeve të tij as “Idioti”, “Krim e Ndëshkim”, “Sozia”, “Të fyer e të poshtëruar” dhe as “Vëllezërit Karamanzov”.
Dhe të mendosh që para viteve ’90, pra para se perdja e hekurt të binte dhe nga vendi i fundit komunist i Evropës, Dostojevski jo vetëm që nuk ishte i lejuar të përkthehej, përkundrazi ai ishte cilësuar nga kupola e partisë-shtet, si një shkrimtar reaksionar.
Për të qeshur dhe për të qarë, ky cilësim kaq banal për një shkrimtar botëror.
Në 11 nëntorin e vitit 2021 ai mbushi 200 vjet nga lindja tij, më 1821. Do të jetonte më pak se 60 vite të plota sepse do të ndahej nga jeta më 9 shkurt, 1881. Një jetë e trazuar gjithsesi. Për një shkrimtar të jashtëzakonshëm, padyshim.
Thuhet se ishte një admirues i Shilerit dhe një humanist i pasionuar. 22 vjeç do të shkruante romanin e parë “Njerëz të varfër”, i cilësuar si risi në letërsinë ruse.
Studiues të shkrimeve të tij thonë se ka qenë i "fiksuar" me Zotin. Dhe kjo ka të bëjë me personazhet e tij. Por shpalosja e temës së besimi dhe mosbesimi, është cilësuar gjithashtu një tjetër arritje kolosale e tij si shkrimtar. Sepse një prej tezave të tij është “Nëse nuk ka Zot, gjithçka është e lejueshme”.
Padyshim, ka nga ata që besojnë se arti i tij i mrekullueshëm është rrjedhojë e vuajtjes së thellë. Sepse prodhimet letrare të Dostojevskit eksplorojnë psikologjinë njerëzore në kontekstin e turbullt politik, social dhe shpirtëror.
Libri i tij “Shënime nga nëntoka” i botuar në vitin 1864, i shkruar me zërin e hidhëruar të “njeriut anonim të nëntokës”, është cilësuar nga Valter Kaufmann si “uvertura më e mirë për ekzistencializëm që është shkruar ndonjëherë”.
Sipas shkrimtarit rus Viktor Jerofejev, Dostojevski parashikoi temën qendrore të shekullit të 20-të: mbinjeriun. Një temë e pranishme kjo në filozofinë e Friedrih Niçes, por dhe në prozën e Albert Kamys.
Dhe kur ai ndahet nga jeta në moshën kulmore të pjekurisë letrare, më pak se 60-vjeçare, mbyll sezonin e madh rus të gjysmës së dytë të shekullit XIX, ku kanë shkruar kryeveprat e tyre Tolstoi e Turgenevi.
I pajisur me gjithë këto virtyte letrare, Dostojevski padyshim qëndron në piedestal. Gjithçka vërtitet rreth tij. Dhe ai vazhdon të jetë po aq ndikues në botën letrare dhe përtej saj. Sepse po aq kanë folur me admirim për të: Ainshtajni, Herman Hese, Heminguej, Xhojsi, Franc Kafka e Virxhinia Volf.
Për të mos folur pastaj që librat e tij janë përkthyer në më shumë se 170 gjuhë të botës.
Prandaj ai vazhdon të na magjepsi!
 


Sunday, February 6, 2022

Nga Praga në Kiev, perandoria ruse shkel mbi kufoma


Nga 
Leonard Veizi

A do të ketë një konflikt mes Rusisë dhe Ukrainës?
Disa analistë jo pak të njohur, të cilët shkruajnë në faqet e gazetave jo pak të rëndësishme, thonë: Jo.
Larg analizave të analistëve, në fakt a duhet marrë kaq “rozë” situata në kufirin Ruso-Ukrainas? Apo ndoshta i duhet dhënë edhe më shumë rëndësi se kaq, një çështjeje që po u ndez, nuk dihet ku do ta ketë fundin?
Në këtë shkrim nuk është se dua të analizoj shkaqet që kanë çuar në konfliktin e mundshëm, as për NATO-n dhe zgjerimin e influencës së saj në Lindje dhe as për gazin rus. E rëndësishme është: do të ketë luftë apo jo? Sepse lufta në prag, nuk do të jetë e njëjtë me atë që bota po përballet në dy vitet e fundit, dhe që ka të bëjë me një luftë të heshtur bakterologjike. Nëse ndodh, ajo do të jetë një luftë frontale dhe shumë e zhurmshme nga armët e zjarrit.
Evropa ka qenë relativisht e qetë që pas shkatërrimit të saj në 6-të vitet e asaj që u cilësua si “Lufta e Dytë Botërore”, dhe që erdhi vetëm 20 vite pas përfundimit të asaj që më parë ishte cilësuar si “Lufta e Madhe”. 75 vite paqe janë të konsiderueshme për një kontinent i cili zhvillimin e ka gjetur sidomos në marrëdhëniet konfliktuale. Lufta e Kosovës, gjithsesi, ishte një luftë lokale për kontinentin e vjetër, betejë e cila zgjati vetëm 78 ditë me bombardime ajrore, por pa ndërhyrje të njësive këmbësore në terren. Pra, nuk pati një luftë frontale.
Deri dje, ishin gjermanikët në qendër të konflikteve të mëdha, si iniciatorë të tyre, pavarësisht humbjeve.
Sot, Gjermania, Franca dhe Italia janë shprehur se nuk duan të përfshihen në një krizë ku siguria energjetike evropiane dhe marrëdhëniet e rëndësishme tregtare me Rusinë vihen në rrezik.
Po të kthehemi në kohë do të kujtojmë se Gjermania, atëherë nën pushtetin e Hitlerit, sulmoi territorin sovjetik me 191 divizione, apo thënë ndryshe me mbi 3 milionë ushtarë. Dhe meqenëse nuk e mori dot Moskën, ndërroi taktikë duke sulmuar Stalingradin. Pas disa muajsh luftime, Ushtria e Kuqe arriti të shpartallonte pikën më të dobët të rrethimit, atje ku ishin vendosur garnizonet italiane të Armatës së Tetë, së komanduar nga gjeneral Italo Gariboldi dhe që ishin pjesë përbërëse e Grup-Armatës “Don”. Ishte po shkurt, por i vitit 1943 kur feldmareshalli Von Paulus u dorëzua bashkë me 91 mijë ushtarë pranë shtabit të gjeneralkolonel Rokosovskit, këtij ushtaraku me origjinë polake që më pas do të merrte statusin e marshallit të Bashkimit Sovjetik.
Fati i luftës ndryshoi.
Sot, gjermanët dhe italianët, mbyllin njërin sy përpara kërcënimeve që Moska i bën Kievit.
Dhe duhet shtuar se vetëm disa vite më parë, në shkurtin e 2014-ës, trupat speciale të ushtrisë së federatës ruse aneksuan gadishullin e Krimesë, deri dje pjesë e territorit të Ukrainës. Një pushtim i lehtë në dukje.
Tanimë, fakt i kryer, Rusia ka mobilizuar 130 mijë trupa dhe deklaron se ato janë sërish pak për të kryer një ndërhyrje ushtarake.
Makineria e luftës është ngritur. Edhe pse ushtarët vazhdojnë të mbajnë në krahë kallashnikovët - në dukje një armë e dalë mode - raketat, nëndetëset bërthamore, avionët supersonikë janë përbindëshat që do të zhbëjnë globin.
Konflikti i mundshëm i Rusisë me Ukrainën tregon edhe një herë se atë që bën një plumb nuk e bën dot një virus, sado i dëmshëm të jetë ai. Sepse lufta në vetvete është një terror i shumëfishtë, ku ana psikologjike rritet në delir ose bie nën këmbë në varësi në fuqisë së zjarrit me të cilën përballen ushtritë.
Të tjerë analistë thonë se forcat ruse kanë aftësi për të kryer një pushtim të shpejtë dhe të menjëhershëm.
A mund të ndodhë kjo?
“Lufta rrufe” apo “Blitzkrieg” ishte një strategji e vënë në jetë nga Adolf Hitleri në bazë të doktrinës së Albert von Shlifer. Rezultativ në pjesën dërmuese të betejave të ndërmarra nga Vermahti. Në vitin 1968 Bashkimi Sovjetik, në përbërje të të cilit ishin 16 republika të mbledhura rreth Rusisë mëmë, bënë sprovën e parë të një pushtimi të shpejtë. Vetëm në 4 orë, Çekosllovakia e atëhershme u gjend nën çizmen e ushtarëve rusë, të cilët kishin desantuar pas mesnate në mënyrë spektakolare edhe armatimin e rëndë bashkë me tanket, nëpër rrugët e kryeqytetit. Atë ditë, 21 gusht, në Pragë u vranë nga forcat pushtuese 50 burra, 7 gra, si dhe një vajzë 8 vjeçe. Kështu që “Pranvera e Pragës” së liberalit Dupçek u kthye në një dimër të ashpër. Ky aksion “blic”, tepër sekret, i Traktatit të Varshavës shokoi Aleancën e Atlantikut ndaj shumë nga shefat e zbulimit të vendeve aleate, panë fundin e karrierës së tyre pas kësaj ngjarjeje. Askush prej tyre nuk kishte qoftë dhe një informacion fillestar se ushtritë e kampit socialist, po përgatiteshin për të bërë pushtimin e tyre të parë. I vetmi informacion ishte ai i 8 muajve para ngjarjes, dhënë nga gjenerali Reinhard Gehlen, ish-shefi i shërbimit sekret të ushtrisë naziste, por që pas lufte drejtoi shërbimin sekret të Gjermanisë Perëndimore. Meqenëse dyshohej se Gehlen bënte një lojë të shumëfishtë dhe ishte në fundin e karrierës, informacioni i dhënë prej tij nuk u mor parasysh. Shteti i përbërë Çek e Sllovak, u pushtua.
Suksesi i pushtimit të Çekosllovakisë tregoi se “Perandoria Sovjetike” ishte në gjendje të bënte shumë më tepër se kaq, dhe kjo u vërtetua në sprovën e radhës kur trupat sovjetike pushtuan Afganistanin në vitin 1979.
Rusët kanë treguar se nuk kanë toleruar kur ka ardhur puna për territoret që kanë qenë nën influencën e Perandorisë. Çeçenia, republika e vogël me shumicë myslimane në Kaukazin Verior pati të njëjti fat. Konflikti që nisi fillimisht për kufijtë territorialë zgjati të paktën 20 muaj. Sot ky konflikt duket sikur i përket të kaluarës, por atje u vranë zyrtarisht gati 6 mijë ushtarë rusë dhe të paktën 17 mijë ushtarë çeçenë.
Rusia nuk fali as Gjeorgjinë në një luftë të shkurtër 5 ditore, ku në vitin 2008 ndodhi konflikti që njihet si "Lufta e Osetisë Jugore". Ofensiva u zhvillua si në Oseti dhe përgjatë bregdetit të Detit të Zi, ku trupat ruse arritën të pushtojnë një pjesë të madhe të territorit të Gjeorgjisë: deri në disa kilometra larg kryeqytetit Tbilisit.
Parë nga ky këndvështrim mund të themi se ushtria ruse është e mësuar me “luftën rrufe”.
Rusia, tanimë e vetme dhe pa mbështetjen e dukshme nga republikat e tjera të ish-Unionit Sovjetik, është në përballje me trupat e Ukrainës, deri dje një nga satelitët më të fuqishëm të saj.
A do të ketë vallë luftë reale, me topa, tanke, raketa e avionë?
Analistët thonë: Jo!

Wednesday, February 2, 2022

Anastas Kristofori mungon në apel, e përfaqësojnë rolet


Nga Leonard Veizi
 
Ndoshta për shkak të batutave të papara, roli i tij që ka mbetur më shumë në kujtesën kolektive, është padyshim ai i Perikliut, drejtorit të Sandrit, apo thënë ndryshe krushku i Jovan Bregut, tek komedia aq e njohur “Pallati 176”.
-“Eh ç’ma zure bishtin me rrotë o Jovan Bregu. Po ç’t’u bëj atyre të rinjve që duhen, pa unë krushqi me ty... pu...pu...pu...”
Por jo më pak do të mbahet mend edhe si Stavri, ekonomati i Strehës Vorfnore në filmin “Lulëkuqet mbi mure”.
-Këto mos m’i thuaj mua, unë defterin kam. Vërtet s’kam ndonjë fitim, por ka qeveria. Është luftë. Jemi apo s’jemi patriotë?! Atëherë dëgjo: para tre ditësh 5 fëmijë u dënuan pa drekë, plus 2 të djeshmit 7, shtojmë edhe 20 drekat e fëmijëve që morën pasanikët për sevap 27. Në furnizimin për pasnesër këto të zbriten.
Ishte Anastas Kristofori.
Tanimë ai nuk do të ketë mundësi të ngjitet a ta prekë skenën e teatrit. Dhe jo sepse mungon skena, por se në apel do të mungojë ai vetë. Ishte 78 vjeç, por zgjodhi të ikte nga kjo jetë 2 shkurtin e vitit 2022. Ndërsa rolet e tij të panumërta janë padyshim të gjalla. Dhe ato transmetohen sot e në vazhdimësi, duke e përfaqësuar atë denjësisht, në çdo apel të mundshëm artistësh kombëtarë.
Kumbimi i zërit të tij karakteristik do t’i mungojë skenës teatrore. Kësaj që tanimë do të bëhet e re. Sepse gjithçka e Kristoforit, zëri në eter, gardëroba dhe rekuizita në shërbim të roleve të tij, mbetën tek ajo e vjetra, që u shemb nga një buldozer a fadromë e tanimë nuk ekziston.
Për herë të fundit në skenë Anastas Kristoforin e kam ndjekur me një rol tek drama: “Darka e Gabuar” vënë në skenë nga regjisori Fatos Haxhiraj. Ishte viti 2010 dhe ai vazhdonte të ishte energjik në interpretim fizik dhe fjalë artistike. Por më pas ai zgjodhi të bëjnë jetën e tij modeste, i tërhequr e krejt larg zhurmave mediatike.
Por ai kishte plot role ku dominonte me interpretimin e tij as jetësor, si në rastin e zotit Dëllfit në dramën “Arturo Ui”, si sekretari tek “Prefekti”, apo si Apostoli tek drama “Komunistët”.
Të gjitha rolet ai i ka punuar me shumë finesë dhe qenësia e tij tek një prodhim teatror ka qenë gjithashtu një domosdoshmëri skenike.
Anastas Kristofori, ishte nga të paktët të mbetur gjallë nga plejada e artë e aktorëve shqiptarë. Ishte i suksesshëm në skenën e teatrit po aq sa dhe në kinematografi. Ishte i suksesshëm në dramë, po aq sa dhe në komedi.
Dhe ishte mjeshtër fjale.
Fjala në gojën e tij nuk rëndohej kurrë. Ajo shqiptohej lehtësisht dhe merrte çfarëdolloj forme. Atë që dinte t’ia jepte vetëm ai.
-Ulu aty! Oj kjo... xhëpe... xhëpe... xhëpe.... xhëpe... Mjaft se më çmende, se më fute trefazorin në kokë më fute.
Ndaj jo rastësisht ai do të ishte dhe një pedagog i fjalës artistike në Institutin e Arteve, që më pas u vlerësua si Akademi dhe në fund u emërtua Universitet.
Në jetëshkrimin e tij thuhet se u lind 28 Nëntorin e vitit 1943 në fshatin Vuno të rrethit të Vlorës. Dhe kjo ishte fort emblematike, sepse bashkë me ditëlindjen festonte edhe ditën e shpalljes së Pavarësisë.
Thuhet gjithashtu se talenti për aktrim tek ai spikati që herët. Ishte në moshë vogël kur fillon të aktivizohet në role amatore. Pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1970, nis punën me trupën profesioniste të Teatrit Popullor në vitin 1971.
Në kinematografi ka interpretuar në të paktën 11 filma. Nga rolet e tij do të veçonim: Antonion, tek “Vendimi”,  Ndoc Markun tek “Besa e kuqe”, Mavrojanis tek “Misioni përtej detit” apo Sotiraqin tek “Kush vdes në këmbë”. Dhe do të ishin po aq të arritura dhe rolet e tij si Vasili tek “Tela për violinë”, apo Pirro tek “Stolat në park”.
Për meritat e tij aktoriale Anastas Kristofori mbetet i vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.
Tanimë ai është kthyer në një ikonë, po aq sa dhe të tjerët që janë larguar para tij.
Padyshim, vendi i tij në skenë a plate si spektator i thjeshtë do të mbetet bosh. Por fotografia që do të na i kujtojë gjithmonë, të gjallë e të qeshur, do të mbesë gjithashtu në muret e hollit të Teatrit Kombëtar, që do të ndërtohet i ri.

Friday, January 28, 2022

Për shqiptarët që s'gjejnë dot nuse


Nga Leonard Veizi
 
Shqiptarët janë bërë keq. Po jetojnë ditë stresante. Dhe kjo nuk vjen nga pandemia dhe ora policore. As nga dimri me të ftohtin polar. Tjetërkund rreh çekani.
Nuk gjejnë dot nuse.
Kërkojnë ndihmën e masmedias, një herë të gazetave e më pas të televizioneve.
Një mëngjes, sapo nisa të informohesha se çfarë mund të kishte ndodhur natën, - se atëherë bëhet ndonjë vrasje me silenciator, - më bllokojnë sytë një lajm që zë gjithë faqen e ekranit. "Nis rrugën çifti i parë i lidhur gjatë emisionit..."
-Hajd për hajër na qoftë, me trashëgime!
Algoritmi tregonte se ai ishte dhe lajmi më i lexuar, përderisa më preu dhe rrugën e informacionit. E mbylla ekranin. Dukej që nuk kishte pasur zhvillime të kronikës së zezë. Se dy janë lajmet që lexohen më shumë këto kohë, ose ai i vrasjeve te dera e shtëpisë, ose ai i shprehjes së dashurisë në mënyrë televizive.
-Eh si vijnë kohët.
Ndonjëherë më duket vetja burrë zamani që nusen e gjeta me forcat e mija e s'ju luta kujt për ndihmë. Se në kohën tonë, shprehja më në modë ishte: Duhet të prishësh një palë këpucë që të gjesh një nuse. E sipas kësaj teorie preferova të prishja këpucët, madje edhe një palë sandale, por të mos shkoja në atë farë derexheje sa të mbesja në ditë të hallit e të lëshoja britma ndihme, si ata që futen në det e nuk dinë not. Se pastaj njerëzia do të ma kujtonte edhe pas 20 a 30 vitesh.
-Të bëmë me nuse qerrata, se as për kaq gjë nuk ishe i zoti.
Tobekstrakfrullah!
Mirëpo ujërat rrjedhin. Dhe shyqyr që rrjedhin se do ishin qelbur fare. Tani nuk e ka për gjë njeri të kërkojë ndihmë.
Fillimisht u krijuan rubrika të veçanta ku kërkoheshin njohje e lidhje dashurore. Ca vite më parë shqiptarët u fiksuan tek gazetat në rubrikën “djemtë kërkojnë vajza” dhe “vajzat kërkojnë djem”.
Plasi gallata.
Lexoheshin aty-këtu thagma të tipit: Të pres te 15-katëshi me një banane në dorë.
Ja ky ishte një lajtmotiv për jetën.
Pastaj kërkesat u zhvendosën në një emision mëngjesi televiziv. Se ekrani ka tjetër atraksion. Asgjë nuk ndryshoi nga kërkesat dhe haberet për takime intime.
-Të pres te Skënderbeu. Në dorë do mbaj një karafil.
Jallah... Pika që s’të bie! Alamet burri me karafil në dorë. Epo, do jesh karafil edhe nga mendja. Se italianët që ne i njohim për shumë të kulturuar, karafilat i përdorin tek kurorat për në varreza. E zakonisht për çështje të zemrës mbahen trëndafila në dorë.
-Opo pa gjë mos mbesësh, pa si karafil si trëndafil, lule janë tek e fundit.
Epo si u bënë kështu këta shqiptarët. As një nuse nuk gjejnë dot vetë, po duan ndihmë nga të tjerët?!
Nëpër kronikat e kohës shqiptarët e dikurshëm kanë bërë namin. Në mesjetë Tanushi e rrëmbeu pinjollen e Anzhuinëve, dhe nuk pyeti në plaste lufta, po ashtu si në Trojën antike. Se grekët na mbytën me historinë e Helenës së tyre me Paridin. Mirëpo po aq mbresëlënëse ishte historia e kontit nga Durrësi, Tanush Topiajt dhe Helena Azhusë, që ishte vajza e Robertit, mbret i Napolit.
Pastaj shqiptarët kudo ku kanë vajtur nëpër botë, e kanë sjellë me vete nga një nuse.  Erdhën në tokën e shqiponjave nuse ruse e rumune, greke e italiane... Për kineze nuk kemi të dhëna, por me sa duket nuk donin kinezkat të vinin në Shqipëri. Çështje klime me siguri.
Dhe kanë lënë nam shqiptarët më të vjetër nëpër botë, me rrëmbime grash dhe mbushje mendje në mënyrë spektakolare.
Meshkujt modernë janë ndryshe. Ata shohin përgjigjet te rubrika mos u ka dal fati. Të njëjtën gjë bëjnë dhe femrat sigurisht. Se është bërë keq edhe për burrë, jo vetëm për nuse.
Nejse... vajti dhe kjo punë. Ishte kohë amatorizmash. E meqë ujërat rrjedhin, në vazhdimësi iku dhe moda e gazetave ku lihej gjysma e parë e numrit të telefonit. Për më tej takimi në redaksi.
Sot lidhjet bëhen të hapura. Sepse tani është sofistikuar gjithçka. Ka emisione televizive or të keqen, që të propozojnë nuse me katalog. Si ma do, të gjerë a të gjatë, brune a bionde... me lesh a pa lesh... Ndoshta ka të bëjë me emancipimin. Por këtu nuk jam kondra unë. Sepse tek e fundit humbi dhe nocioni aq romantik “gjiri i kurvave”, ku për të bërë seks larg syve të botës ishte zgjedhur pika ekstreme e Parkut të Liqenit Artificial. Tanimë seks mundësisht duhet bërë te lentja e kamerave që ta marrë vesh dynjaja se emisioni e realizoi misionin bamirës.
Por, ky brezi i tanishëm e paska keq. Nuk gjen dot nuse për qamet. Shqiptarëve të sotëm u është holluar gjaku fare.
Mirë që ka dalë High Tech. Emisionet kanë startuar në rivalitet me njëri-tjetrin. 
- O të bëj me nuse unë ty, o pëllcas.
Epo... pushka top t’u bëftë!

Tuesday, January 25, 2022

Ikja e Arben Shakës, dy lot për një artist që diti të na bënte me qesh


Nga Leonard Veizi
 
Për ata që e njihnin por dhe për ata që vetëm kishin dëgjuar për të, lajmërimi i vdekjes së tij u bë në rrjetet sociale. Ai vetë ishte një artist që e dashuronte botën e internetit, pas siç më pati thënë dikur, ishte kjo magji që të çonte të njihte atë pjesë të botës për të cilat kishte bindje se nuk do të mund t’i shihte dot kurrë.
Prej 23 janarit 2022 Arben Shaka nuk do të jetë mes nesh. Shpirti iku lart e trupi do të mbesë poshtë, përgjithmonë. Por ai padyshim, do të jetë në vazhdimësi pjesë e kujtimeve tona. Sepse brezi im dhe ca të tjerë para e pas meje janë rritur me humorin e tij.
Disa vite më parë, me Arben Shakën kam realizuar një intervistë të rrallë e mbresëlënëse, nga të paktat e lëna prej tij në shtypin e shkruar. U botua në gazetën “Shekulli” me titullin “Isha refugjat në Greqi, erdha emigrant në Tiranë”. Sepse pakkush e dinte se për 15 vite me radhë ai do të ishte një emigrant në Greqi. Dhe kur do të rivinte në qytetin e tij, Tiranë, gjithaq do të ndihej po aq refugjat, në një vend ku gjithçka kishte precipituar me shpejtësi dhe asgjë s'do të ishte më siç e kishte lënë.
Më pas realizova një tjetër intervistë me të që u botua nën titullin “Arben Shaka, aktori serioz i roleve komike”. Sepse pakkush e dinte gjithashtu se edhe pse fort komik në skenë, si ishte po aq serioz në jetën e përditshme.
Së fundi i kushtova dhe një portret, me titullin “Në labirintin e roleve të Arben Shakës”, mbështetur mbi ato çfarë më kishte thënë në intervistat e tij.
Aktor me karrierë të spikatur Arben Shaka njihej si mjeshtër i pantonimës. Për 33 vite me radhë i dha skenës shqiptare një galeri rolesh plot jetë. Mund të shprehte me gjeste e plastikë fytyre shumë më tepër se sa me fjalë të përbëra, togfjalësha a një monolog i tërë si në një monodramë antike. Ishte armik i monotonisë, por edhe pse kishte shtuar plot kile mbi peshë  jetën kërkonte ta kishte po aq aktive sa dhe në rininë e tij kur ishte hollak e bënte akrobaci në skenë.
E kishte filluar në cirk dhe estradë, me aktrim e akrobaci, por shumë shpejt do të angazhohej dhe në kinematografi me disa role emblematike, sidomos tek “Cirku në fshat”. Si për ta përmbushur spektrin e gjerë të një aktori, pas një eksperience në një serial me 20 pjesë “Dadoja i pallatit tim”, me shumë sharm ai realizoi dhe disa spote publicitare.
Në fund të fundit ishte aktor…
“Shoferi dhe pasagjeri” një material pantonimik i Agim Nallbanit ku Arben Shaka realizoi rolin e tij të parë. Ndërsa partneri i tij në rolin e pasagjerit ishte Astrit Ferizaj. Ishte viti 1966 dhe aso kohe ishte vetëm 16 vjeç. Kishte nisur punën si elektro-auto në Parkut të Kamionëve dhe aty u përfshi në trupën amatore. Por mirëfilli do të bëhej aktor në Estradën e Ushtarit. Pas 7 muajsh shërbim ushtarak në Ersekë e tërhoqi Varieteja. Dhe siç është shprehur ai vetë: “Në ato vite Estrada e Ushtarit kishte punë jo shaka. Aty ishin mbledhur shumë aktorë të mirë. Ishte Koço Devole, Roland Trebicka, Zef Deda, Sejfulla Myftari, etj. Mbanim të veshur uniformën jeshile dhe kapele me yll. Jepnim shfaqe në repartet ushtarake të gjithë Shqipërisë. Na qëllonte të shkonin për të dhënë shfaqe në ndonjë pikë të largët ku kishte vetëm 10-12 ushtarë, ndërsa trupa jonë kishte më shumë se 30 veta, aktorë e këngëtarë”.
Prirjet e tij ishin kryesisht për pantomimën aktoriale dhe kupletet muzikore. Por edhe pse dëshironte të luante në skenën e Estradës, këmbëngulja e Telat Agollit, krijuesit të cirkut shqiptar, e detyroi që njërën këmbë ta mbante në Cirk edhe tjetrën tek Estrada. “Me punë të lodhshme, shumë djersë e pasion arrita të jem i suksesshëm. Në ato vite Cirku shkëlqente”, më pat thënë Arben Shaka gjatë intervistës së tij.
Në fakt ai kishte humor të hollë dhe tregonte plot pasion ngjarje nga jeta. Por m’u shpreh se nuk dinte të tregonte as barsoleta dhe as të bënte humor pa shkak. “Natyra ime është e tillë që ndryshoj nga Beni i skenës, - më tha. - Në jetën e përditshme jam njeri serioz, por edhe brenda këtij serioziteti bëj shaka me kripë”.
Arben Shaka pati dhe një jetë kinematografike. Me disa personazhe episodik ai ka mbetur në pelikulën e filmit tek “Cirku në fshat”, “Odiseja e Tifozëve”, “Përse bien këto daulle”,“Estrada në Ekran”, “Kapedani”, “Gjueti e Ndaluar” dhe në komedinë “Tre dhëndurët” të Dionis Bubanit me regji të Piro Manit. Por ka pasur një rol shumë të mirë dhe tek telefilmi “Alo tekniku” me regji të Niko Kanxherit.
Ka interpretuar përkrah aktorëve të mëdhenj të skenës shqiptare: Skënder Sallakun, Xhemal Myftiun, Vasillaq Vangjelin, Maxhide Picin, Vegim Xhanin, Dario Llukaçin, Enver Dautin e mikun më të ngushtë të tij Skënder Plasarin. Por ka pasur fatin që të luajë në skenën e Estradës dhe me të madhin Mihal Popi e më pas me Melpomeni Çobanin. Ndërsa në Cirk, partneri i tij kryesor ka qenë mjeshtër i kllounatës akrobatike, Met Selimi.
Pas viteve ’90, si shumë shqiptarë të tjerë edhe ai u largua, bashkë me bashkëshorten, tre fëmijët dhe nënën për në Greqi. Kishte dështuar në iniciativën e tij për të ngritur një Teatër Variete për fëmijët e talentuar. Një gjë e tillë do ta trondiste edhe financiarisht gjë të cilën e përballoi duke shitur shtëpinë. Ky ishte dhe një peng i madh për të. Gjithsesi në Greqi, dhe më saktë në një qytet bregdetar 80 kilometra larg Athinës që quhet Lutraki, ai do të vinte në punë një tjetër talent të tij, pikturën. Dhe me këtë profesion, pikturoi gjithfarë lokalesh e reklamash të qytetit. “Padyshim kam lyer edhe ndonjë shtëpi, sepse paguanin shumë mirë”, më pati thënë duke qeshur. 
Por duket se duket se kriza në ekonominë greke bëri që edhe aktori i njohur, si shumë shqiptarë të tjerë të kthehej në vendlindje. “U detyrova të vij përsëri në Tiranë, në një shtëpi me qira, ose thënë ndryshe: emigrant në vendin tim të lindjes”, më tha në fund të intervistës së tij.
Nuk kishte mbyllje më të trishtueshme për një njeri të humorit. Por Beni ishte optimist gjithsesi. Dhe duhet të ketë qenë deri në fund të jetës së tij, sepse nuk ishte nga ata që mposhtej. Ai gjatë gjithë kohës ishte në kërkim të mundësive të reja. Por tanimë, gjithçka e tij mbetet në arkiv.
 

Monday, January 24, 2022

Dhimitër Anagnosti, gjeniali i kinemasë shqiptare

Nga Leonard Veizi
 
Ai është një regjisor gjenial dhe kjo nuk mund të vihet më në dyshim. Por ç’është e vërteta, në fakt, nuk është vënë asnjëherë.
Megjithëse, është e vështirë të thuash se pikërisht Ai duhet të qëndrojë në majën e kineastëve shqiptarë, të atyre artistëve të cilët drejtonin pas kamerave dhe na dhuruan imazhe të papërsëritshme në pelikul. Ndaj krahasimi me të tjerë njerëz që kanë pasur të njëjtin profil, bëhet edhe më i vështirë, duke ditur se artet në përgjithësi nuk kanë njësi matëse, as me gramë a kuintalë për hektarë, dhe as me milimetër a milje lineare.
Gjithsesi, po të përmendësh emrin e tij, gjithkush do të ngrejë duart e do të tërhiqet, si për t’u dorëzuar e lënë vendin bosh, atje ku duhet të ulet “Njëshi”.
Në këtë mënyrë, Ai vërtetë duhet të qëndrojë në majë, atje ku skeptëri bëhet i rëndë po aq sa froni i një mbreti.
Por për të arritur atje, padyshim është dashur një punë e madhe, serioze, stërmunduese e rraskapitëse, si dhe shumë talent.
Ai i ka pasur të gjitha këto. Me shumicën e mundshme për të qenë gjenial.
Ky është Dhimitër Anagnosti.
“Artist i Popullit” dhe “Nder i Kombit” ai mbetet ndër më të shquarit e kinemasë shqiptare. Dhe për këtë shkak është mbajtës gjithashtu edhe i titullit tjetër të lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Në jetën e përditshme ka preferuar të qëndrojë larg mediave, intervistave apo statuseve në rrjetet sociale. Por profili i tij madhështor nuk është fundosur aspak në oqeanin e ajzbergëve djallëzorë. Sepse sot, në një botë imazhi, të qenit në “faqen e parë”, duket sikur është gjithçka. Ndërsa ai, mjeshtri, që e di mirë se ç’do të thotë imazh, as që e ka preferuar ndonjëherë “faqen e parë”. Ndoshta sepse e ka ditur se aty ka qenë ngaherë dhe do të jetë në vazhdimësi e tutje.
Ai është një regjisor që me imazhe filmike na bënin të ëndërronim. Ishin filmat e një epoke që i dhanë një dimension të ri jetës sonë të varfër. Dhe ishte po ai që me një fabul të thjeshtë në dukje, si “Në shtëpinë tonë” do ta ngrinte në art një “kështjellë” përmes një Miri çamarrok që kallëzonte motrën e tij Ana se dashuronte sportistin Fatos Gjini dhe shoferit Stefi Petro që punonte me IFA-n e Parkut të Mallrave TR 15-96.
Po aq, një regjisor si Anagnosti do të na gdhendë në kujtesën afatgjatë personazhe si kapter Ramiu, Islami dhe Pepini tek “Dueli i heshtur”, si Jaçe, Lelo, drejtor Luixhi e kujdestari tek “Lulëkuqet mbi mure”, doktoreshë Besa e Gjin Maneshi që i kish mbetur plumbi në krah “tash 27 vjet”, e për më tej infermierin Peliçelin, Jahon, Kabon e Safa Ymerin tek “Malet me blerim mbuluar”. Por nuk duhet lënë pas “Kthimi i ushtrisë së vdekur” që ishte një përpjekje sfiduese me Bujar Lakon e Gulielm Radojën për t’i dhënë një vlerë të re “Gjeneralit...”, të mëhershëm me Sandër Prosin e Pjetër Gjokën.
Do të cilësohej si kulminacion i krijimtarisë së tij “Përrallë nga e kaluara”, një realizim kinematografik që u rezistoi të gjitha kohërave e furtunave. Por Anagnosti e kish mbajtur dhe një “As” nën mëngë për të na surprizuar me më të fundit film të realizuar prej tij: “Gjoleka djali i Abazit”.
Ndërsa më herët se kaq do të duhej filmi “Toka Jonë”, ku ai qëndronte pas lentes së kameras si operator i filmit të Hysen Hakanit, që do ta njihte me Roza Xhuxhën apo Anagnosti siç njihet më së shumti, bashkëshorten e tij të ardhshme, si dhe bashkëpunëtoren e tij në disa prej krijimeve më të arrira kinematografike.
Organizator i shkëlqyer, kërkues deri në detaj, Anagnosti nuk shkonte asnjëherë në shesh të xhirimit i papërgatitur dhe pa zbërthyer deri në imtësitë më të vogla skenarin tekniko-regjisorial. Ndaj bashkëpunëtorët e tij janë shprehur se nëse e kishte “vulosur” materialin, nuk kishte kthim pas dhe se gjithçka në shesh të xhirimit do të bëhej siç ishte parashikuar, pa mungesa dhe improvizime.
Shumë shkurt nga jetëshkrimi i tij zyrtar mund të përmendim se Dhimitër Anagnosti u lind në 23 janar 1936 në Vuno, të rrethit të Vlorës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme në Vlorë. Ndërsa në vitet 1954 - 1960 ndoqi Institutin Kinematografik "VGIK" të Moskës, ku u diplomua si kinooperator. Dhe do të ishin pararendës të kinemasë së bashku me një tjetër kolos të saj, Viktor Gjika, si shokë kursi, dhe si bashkëregjisorë në shesh të xhirimit.
Po aq, në jetëshkrimin e tij thuhet se në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, si dhe është autor i 15 skenarëve, pasi pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar po vetë.
Në një rivalitet të heshtur me regjisorë të tjerë, po aq virtuozë në atë çfarë kanë mundur të lënë pas si dëshmi në pelikul, gjithsesi ai mbetet gjithmonë i njëjti emër unik: Dhimitër Anagnosti.
 
 

Sunday, January 23, 2022

Shqiptarët, një popullsi në zhdukje


Nga Leonard Veizi
 
Marr shkas nga audienca e parë e përgjithshme që Papa Françesku ka bërë në sallën Pali VI të Vatikanit, janarin e vitit 2022. Shqetësimi i Papës katolik këtë herë kishte të bënte me lindshmërisë. Citoj që ai të jetë shprehur: “Shumë çifte nuk kanë fëmijë sepse nuk duan ose kanë vetëm një, sepse nuk duan të tjerë, por kanë dy qen, dy mace. Po, macet dhe qentë zënë vendin e fëmijëve. Po, është qesharake, e kuptoj, por është realitet. Ky mohim i atësisë dhe amësisë na pakëson, e merr njerëzimin”.
Është apo nuk është i ligjshëm ky shqetësim i Papa Françeskut?
Sepse dimë që bota po shkon me shpejtësi rreth shifrës së 8 miliard njerëzve mbi kurriz të saj. Aktualisht pretendohet se janë 7.8 miliardë njerëz gjithsej.
Për kureshti të përgjithshme, duke u mbështetur mbi raportet e OKB-së, dua të bëj me dije se globi sot ka trefishin e popullsisë që ka pasur më 1950. Dhe po aq enciklopedia të informon se dymijë vjet më parë rruzulli tokësor kishte gjithsej 200 milionë njerëz.
Megjithatë, për fatet e globit ka kush mendon, në janë 200 milion njerëz më pak a më shumë. Ndërkohë që as pandemia “Covid-19”, për të cilën u tha se do të ndryshonte raportin e njerëzve të gjallë me vdekshmërinë, nuk është se pati ndonjë rendiment për t’u marrë seriozisht. Gjithsesi, bota është e mbingarkuar me njerëz edhe pse kalkulimet e bëra publike nga gjithfarë agjencish thonë se globi në tërësinë e tij mund të mbajë pa frikë të paktën 10 miliardë njerëz. E për më tej kalkulimet për ushqim, ujë dhe energji duhet të rifillojnë nga e para.
Por të kthehemi tek fatet tona, si shqiptarë që jemi.
Disa vite më parë, ndërsa vërdallosesha në terren për të gjetur histori dhe personazhe interesante, ndesha Gëzimin, një djalë asokohe 18-vjeçar, i cili në habitatin ku jetonte, njihej si “3 milionshi”. Thënë më qartë, sipas statistikave të viteve të komunizmit, lindja e tij përkoi me personin që rrumbullakosi shifrën e 3 milion shqiptarëve brenda territorit të Republikës Socialiste të Shqipërisë. Dhe ishte 27 shkurti i vitit 1986 kur u bë publike një gjë e tillë. Për këtë lajm të jashtëzakonshëm folën gjatë Radio, Televizioni dhe gazetat e kohës. Sepse në ato vite, lindshmëria ishte në rend të ditës, pasi sipas një direktive dalë nga zyrat e Komitetit Qendror, shtimi i numrit të popullsisë do të thoshte më shumë ushtarë në mbrojtje të Partisë dhe Atdheut.
-Epo kështu ishin kohët.
Të kthehemi sërish te statistikat, edhe pse në vetvete ky shkrim nuk duhej të kishte të bënte me kaq shumë shifra.
Po sipas statistikave, 18 vjet para vitit 1986, - pra në vitin 1968, - Shqipëria kishte mundur të bëhej me 2 milion banorë. Dhe e dymilionta shqiptare e kishte emrin Drita.
Ndërkohë, Shqipëria e sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore kishte një popullsi prej 1.122.000 banorësh.
Në këto vite të arta të shtimit të popullsisë me ritme të shpejta, mosha mesatare në Shqipëri kushte atë të lules së rinisë, 27 vjeç.
Nëse kjo gjë do të vazhdonte në mënyrë lineare e të pandërprerë, sot Shqipëria, pas 36 vitesh nga plotësimi i shifrës 3 milionë, duhet të kishte një popullsi prej 5 milionë banorësh.
-Birinxhi!
Kaq do na mjaftonin të mbronim Partinë edhe Atdheun, sepse pushkë e municione kishim sa për 10 milionë.
Ndërkohë, statistika më e fundit zyrtare, e bërë publike nga Instituti i Statistikave, për numrin e popullsisë në vend, është ajo e janarit 2021 ku Shqipëria rezulton me 2.829.741 banorë. Raportit i INSTAT sqaron për më tej se popullsia në Shqipëri ka pësuar një rënie me 0,6%, krahasuar me 1 Janarin e vitit 2020, ndërsa krahasuar me vitin 2011 – pra dhjetë vite më parë, - është ulur me 2,7%.
-U ul dhe pazari!
Po duke iu referuar statistikave, ndërsa në vitet ‘80 të shekullit të kaluar, mosha mesatare e popullsisë ishte 27 vjeç, në vitin 2011 ajo u rrit në 33 vjeç, ndërsa në vitin 2011, në afërsisht 38 vjeç.
-Ohoooo, drugu mesele.
Pra, tanimë kemi një popullsi më të plakur, në një popullsi më të rrudhur.
Në 30 vitet e fundit nga Shqipëria janë larguar 1.7 milionë banorë ose thënë ndryshe 37% të popullsisë.
-Shëndet dhe të mira materiale!
Pse nuk thoni që qenkemi bërë për ditë të hallit. Kështu si e kemi nisur, s’do mbetet këmbë shqiptari në Shqipëri. Po vendi nuk do të mbetet pa njerëz sigurisht. Pas dere po presin bangladeshasit...
Që t’i biem në kokë muhabetit, shqiptarët këndej rrotull janë, nuk është se kanë humbur. Vetëm janë zhvendosur, ose në Greqi, ose në Itali, ose..., ose në Gjermani... Çështja është se forcat më të mira, dhe në moshën më aktive, na i ka marrë bota. Megjithatë, emigracioni aktiv, nuk është se e shteron problemin. Në thelb ai mbetet. Në këtë mënyrë në Shqipëri numri i shqiptarëve është ulur, por po t’i referohemi asaj çfarë ka thënë Françesku i katolikëve, është shtuar numri i qenve dhe i maceve.

Monday, January 17, 2022

Të jetosh mbi llumin organik të frymorëve

 

Nga Leonard Veizi
 
Shqiptarët, në tërësinë e tyre kanë vetëm një festë që i bashkon të gjithë, aq sa i bën xurxull e nuk dalin tre ditë nga shtëpia. Prandaj ata nuk i falen “Babbo Natale”-s, por Babagjyshit të Vitit të Ri. Dhe i luten që përveç ndonjë qeni me lesh a pellush, t’u sjellë dhe plot të mira të tjera, qoftë dhe një qen prej vërteti brenda pakos së dhuratave.
Dhe pas kësaj jemi mësuar ta nisim vitin me urimin klishe: "Qoftë një vit i mbarë!”. Me sa duket kjo do të thotë se ai që lamë nga pas nuk ishte dhe aq i mbarë. “Shëndet, begati e prosperitet". Kryekëput slogan. Këto sentenca njerëzit i kanë të regjistruara në kokë si në një disk platini dhe i përsërisin papushim gjatë gjithë kohës. Le më kur vazhdon ca me zhargon: “shnet e pare”.
Posi..., ja aty po pret banka, me kartëmonedhat e reja fringo, të na japë nga një dorë në malore meqë karburanti ka shkuar te pulla e kuqe e nuk tërheq fort.
Që ta nisim mbarë, e ta ulim ca mllefin... Nuk është se kam ndonjë inat personal me përmbajtjen e këtyre urimeve, sepse në thelb qëndrojnë. Dhe meqenëse s’mund t’i thuash dot “plaç” një njeriu që teshtin, duhet t’i thuash të paktën “shëndet”. Ndaj urimet për begati e para me shumicë do të jenë ngahera.
Por, në këto vite të këtij mijëvjeçari, i cili na ka futur në një dimension të ri jete, urimi kthehet me kokë poshtë, për t’ianë lë vendin një tjetri, që në fakt është i fort i shëmtuar për t’u thënë.
-"Të rroftë kollarja"... benzi GL Class... çanta Guçi, veshja Versaçe... dhe vila në zonën rezidenciale me njerëz security-je pa kobure por ambient të vrojtuar prej kamerave HD...
Dhe meqë Viti i Ri ka hyrë tashmë, urimi fillestar që më erdhi ndër dhëmbë nga pështirosja që m’u nakatos që prej mëngjesit të parë kur dola në rrugë, ishte: "O Zot, na sill një vit më të pastër, pa përmjerjen kolektive në rrugë, shfryrjen e hundëve si skrapamento makine, pastrim të gurmazit duke gërryer tubin ezofagial sikur po pastron tubin  e oxhakut, pështytje masive në tokë dhe hedhjen e pecetave higjienike vend e pa vend”.
Domethënë, babagjyshit të Vitit të Ri nuk është se duhet me i kërku gjithmonë pare: marka, dollarë e lireta, si në tregun exchange.
Sepse për djall, njeriu si qenie humane kërkon te jetë dhe qenie sociale, pra shoqërore. E si e tillë duhet të përshtatet e të jetojë në komunitet. Pra të ketë pranë vetes ca njerëz të tjerë. Por djall o punë kur nuk ia ke haberin asnjë prej rregullave të përbashkëta të edukatës qytetare. Kjo lëndë, bëhet që në shkollën fillore ndaj psikologët thonë se bazat e saj po t’u ngulën në mendje nuk të shqiten më. Nëse ti nuk arrin t’i zbatosh, apo më keq i shkel me të dyja këmbët, dy janë mundësitë: ose ke qenë ca pa qejf e s’ke shkuar në mësim ato ditë, ose me gjasa nuk ke shkuar fare në shkollë e s’ka pas kush të t’i mësojë as në shtëpi. Treni ka ikur dhe s’të bën punë as të hipësh tek vagoni i fundit i mallrave. Kështu që ke mbetur i mangët nga kjo anë.
Tirana është një qytet ku një herë e një kohë, - qoftë dhe për shkak të një ditë të diel kur gratë dilnin e pastronin territorin, - dukej një vend për të qenë, i pastër, e për më tepër pa mbetje organike. Sot në çdo hap që hedh, duhet të matesh mirë e t’i bësh sytë katër, sepse jo rrallë do ndeshësh e do të shkelësh me këpucët e sapoblera e llustrafinë, të pëgërat e qenve.
Të dhjefsha Tiranën! “Ma mirë në pyll se n’qytet”... – thonë këndej nga Shqipëria e Mesme.
Nëpër rrugët e kryeqytetit sot sheh djem me veshje sportive, nga dy metra të gjatë e gjithë muskuj,  por dhe plot gra bukuroshe e të kuruara deri në detaj me kremra të që ta bëjnë surratin tas, që ankthin e tyre më të madh e kanë tek çlirimi i zorrës së trashë të qenit. “Të keqen mami... “ Ndaj nuk pyesin se ku ndodh kjo performancë disgustoze, në bythën e ndonjë peme apo tek rrotat e ndonjë makine. Mjaft që qeni të lirohet e bashkë me të të çlirohet dhe i zoti.... se po plasnin që të dy.
Po mirë e kanë tek e fundit: Qeni është kafshë besnike. Se mos njerëzit janë më të mirë. Edhe ata do ta bënin në çdo cep pallati po t’u jepej mundësia. Por nuk i lënë kamerat, që sot i gjen të instaluara ngado.
Në këtë mënyrë ne të gjithë, kontribuojmë në mënyrë masive për ta ndotur sa më shumë këtë qytet.
Nuk është vetëm karburanti e gazrat që emetohen në hapësirë. Janë dhe mbetjet ushqimore trupore. Përroi i vogël i Lanës, që kalon mespërmes kryeqytetit është i pafuqishëm të marrë me vete mbetjet e një milion njerëzve dhe të nja 500 mijë qenve. Ndaj vetëm ndonjë rrebesh mund të bëjë ndonjë derman e ta shpëlajë ca atë që ka ardhur nga zbatueshmëria e shprehjes aq romantike: U bë muti kala.
Ndaj lutja që i bëhet babagjyshit thellohet në brazdë: O Zot, mos na e ndaj shiun mëngjes, drekë, darkë. I bën mirë bujqësisë, nëpër arat e pluguara, por i bën mirë dhe asfaltit e pllakave mbi trotuar se i shpëlan. I lemë për vitin tjetër qentë e leshit e të pellushit...
Dhe kështu vendin e Covidit, të Deltës e Omikronit me gjasa do ta zërë përsëri kolera. Ajo do të rikthehet në vazhdimësi, për të na kujtuar se të jetosh me mbetjet organike nëpër brazdat e këpucëve, e të shkelësh me to kudo, do të kesh edhe një kosto medoemos. Ndaj përsëri do fillojë avazi i spërkatjes me klor e gëlqere, për të mbuluar me sa mundet zhulin e llumin që e bëjmë bashkë të gjithë ne.

Friday, January 7, 2022

Shqiptarët e administratës, ky popull pushimesh e rehatie


Nga Leonard Veizi
 
Puna nisi zhurmshëm pas tre ditë të ngrëni, pirje e rehatie deri në palcë.
Duket se 2022-shi do të jetë një vit i mbarë për shqiptarët, sidomos për ata të administratës. Tym fare. Dhe kjo mbarësi filloi që prej datës 1 janar, e cila në kalendar shënohet me ngjyrë të kuqe. Pra pushim. Është njëlloj si të futesh me këmbën e djathtë në shtëpinë e re që të të eci mbarë. Lëre pastaj kur dita e parë e pushimit shoqërohet edhe me ditën pasardhëse, pra datën 2. Dhe gëzimi dyfishohet kur të bëhet me dije se meqenëse datat e festës ranë ditën e pushimit fundjavor, e meqenëse festën nuk e shtyjmë dot, shtyhen ditët e pushimeve. Shkurt edhe 3-shi e 4-tra pushim.
Hajde ç'vete hajde!
Ta lumsha moj demokraci!
Pas kësaj vijnë beneficet e tjera pa kursim: 14 ditë festash pushim. Se kemi Ditën e Verës. Pa kemi Pashkët Katolike e Ortodokse. Po kemi Nevruz edhe Bajram. Po kemi dhe festën e kllasës punëtore në 1 maj. Ndërsa në 2 maj është Bajrami i Madh. Pra sërish pushim. Ndërkohë e gjitha kjo do të shoqërohet edhe me datën 3 maj pushim, sepse na qëlloka që festa e proletariatit bie ditën e diel. Sa keq që na e hoqën si ditë pushimi atë të 5 majit, Ditën e Dëshmorëve. Do kishte shkuar e gjithë java pushim. Por gjende mirë se u zëvendësua me 5 shtatorin, ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Po kemi 28 dhe 29-tën. Për shyqyr që e kthyen sërish 29 nëntorin se do mbeteshim vetëm me një ditë pushim. E si qershia mbi tortë kemi gaz edhe hare edhe në 8 dhjetor, ditën e Rinisë, që zëvendësoi 10 shkurtin, ditën e pionierëve debatikas.
Ja, kështu rregullohen punët.
Deri tani jemi mirë me pushime, 14 ditë festash zyrtare të cilave u shtohen dhe 7 të diela të rimbursueshme. Fiks 21 ditë pushimi nga konglomerati i madh i 365 ditëve të ciklit diellor.
-Hajd, pushime të mbara...
Vazhdojmë hesapet.
Viti 2022 ka 53 javë kalendarike, por që kanë 106 ditë fundjava. Të shtunë e të diel demek. Pushim të gjitha këto. Këtu po kursej të numëroj dhe ca bishta, si në rastin e festave të 7-8 marsit, që bëhen “de facto” pushim edhe pse nuk janë shënuar me të kuqe në kalendarin zyrtar. Por edhe 14 shkurti si Shën Valentin thuajse pushim bëhet meqenëse të gjithë jemi të dashuruar e dalim rrugëve për të bërë selfie e për të dhuruar lule të kuqe bashkë me çokollatat në formë zemre.
Kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar që e njohim ndryshe si “leje e zakonshme” është 4 javë kalendarike. Pra 28 ditë. Por meqenëse fundjavat i numëruam një herë, i bie të zbresim 8 ditë. Mbeten 20 ditë pushimi.
Aheng fare. Të bësh plazh edhe në Durrës edhe në Ibiza. Kush ia ka mundësinë kuptohet.
Me një llogari të thjeshtë ndër 365 ditët kalendarike të vitit, nja 147 prej tyre kalohen në relaks të plotë, duke shëtitur e marrë ajër të pastër, duke u futur e duke dalë kafene më kafene, ose duke ia mbathur jashtë shtetit me avionin e parë për të bërë ca shoping. E gjitha kjo për t’u çlodhur e marrë veten nga stresi që po na mbulon e po na i shkurton ditët.
Mbeten 218 ditë punë.
Ec e të punosh kur pushimet ta bëjnë me sy. Nuk ndizet makineria hiç. Sepse sapo nis punën vjen sërish dita e pushimit.
Nejse, kur t’i jep qeveria ditët e pushimit s’ke pse të mos ia marrësh me gjumë. Veç në je idiot e të bësh të kundërtën?! Domethënë, të shkosh në punë, demek. Apo më keq akoma, si një herë e një kohë, të ngrihesh në mbledhjen e kolektivit për të rritur normat.
-Marr zotim se planin...
Ja, prapë në vend të keq vete gjuha.
Deri këtu nuk mund t’i hash hakun njeriu se “të vret Zoti”. Por nëse guxon të thuash me zë të lartë se kjo është disi e tepruar, pasi ka dhe sektorë të tjerë të jetës publike në vend që nuk e kanë një privilegj të tillë, të kthehen plot mllef për të shpjeguar me detaje se, vite më parë, kaq shumë janë lodhur e kanë djersitur duke punuar për të ndërtuar socializmin në vend, me të “diela vullnetare” e “ditët e Enverit”, dhe nuk doli kurrkund ndonjë gjë e hajrit, sa tani e kanë hak që më shumë se një të tretën e vitit ta bëjnë pushim e të mos u lëvizë qerpiku.
Për këtë arsye, dhe jo për punë lekësh e rrogash, - se administrata nuk dallohet për norma të larta pagash, - shumë nënshtetas të kësaj Republike bëjnë çmos të marrin një pozicion në administratën publike. Përpos kësaj, ideja se në zyrat e shtetit mund të punosh sa ta shohësh të arsyeshme e mund të qëndrosh në kafe sa të të dojë qejfi është kthyer në një “legjendë urbane” dhe shihet me zili nga pjesa tjetër. Ndërkohë, në raportin “ditë pushimesh – orë pune”, administrata shqiptare ia kalon edhe disa vendeve të zhvilluara perëndimore edhe pse në statistika për nga ecuria ekonomike është e fundit në listë.
Se pushime javore dhe ditë festash ka dhe bota, mos mendoni se andej matanë punohet 24/7. Por kur vjen puna te minimumi jetik dhe mirëqenia, ne përsëri jemi në fund të listës e nuk bëjmë dot xhap përpara.
Viti 2022 ka po të njëjtin trend, dhe nuk ndryshon aspak nga të mëparshmit, me përjashtim të faktit që këtë herë do të sakrifikohen shtatë të hëna, meqenëse ca nga festat e zyrtarizuara bien në fundjavën e pushimit. Lum si punonjësit e administratës, se me sektorët e tjerë të punës në vend as që mendohet se mund të ndodhë kështu.
Fjala vjen: A mund të mendohet të mbyllen restorantet në fundjavë për hir të pushimeve? Le më kafenetë.
Po ata të shtypit dhe televizionet a i fusin dot një “black” ekranit e të shtrihen në minderin e shtëpisë për një sy gjumë? Nuk bën vaki. Se luksin e kanë që ata të pushimit, të kërkojnë të lexojnë lajmet duke pirë kafe.
-Ore janë shthurur këta të medias, se kanë mendjen për punë hiç. S’marrim vesh kush u vra e kush u pre...
Kështu që pjesa tjetër e shoqërisë duhet të jetë në shërbim të tyre.
Shkurt, ajo që pëlqejnë shqiptarët sot dhe jo vetëm, është: sa më pak kohëqëndrimi në punë dhe ca më shumë se kaq në kafe. Ndaj radha për të hyrë në një punë shtetërore do të jetë gjithmonë e gjatë, ndërsa makinacioni për t’u përshtatur si militant i një force politike do të sofistikohet edhe më shumë.
  

Thursday, January 6, 2022

Noli, mënçuraku i pazëvendësueshëm


Nga Leonard Veizi
 
Ai mbetet i rrallë dhe i pazëvendësueshëm. Një mendje brilante që i ushtroi dijet e mbledhura ngado në gjithfarë fushash. Dhe la mbi skrivaninë e tij një thesar të tërë, kryevepra botërore, që mbetën në përdorim mes shqiptarësh...
 
...Pakkush si ai mund të ishte njëherazi “hirësia e tij” dhe “shkëlqesi” po ashtu. Pakkush si ai mund të bënte meshtarin në Altarin e Kishës dhe polemikun në sallën e Parlamentit. Të ishte në krye të një partie politike si “shef opozite” dhe në krye të shtetit si ministër i jashtëm e kryeministër për së fundi. Vetëm ai mundi të vinte në pushtet me anë të një të ashtuquajturi “revolucion” dhe të largohej nga pallati qeveritar nën kërcënimin e armëve të një ushtrie të huaj, që kishte ardhur për të ngjitur në fron kundërshtarin e tij. Dhe po aq, vetëm një njeri si ai mund të firmoste gjithfarë udhëzimesh mbi jetën politike, ekonomike dhe ushtarake të vendit, dhe me po të njëjtën penë të vazhdonte të përkthente “Rubairat” e Omar Khajamit. Dhe ishte po ai që kur kërkonte të çlodhej sadopak nga punët e rënda të një shteti që kërkonte reformë thellësore, i binte flautit.
Ai ishte Fan Noli. Dhe emrin e babait e kishte Stilian. Kishte lindur në territorin turk, İbriktepe, por ishte shqiptar, nga Qyteza e Kolonjës. Të parët e tij e kishin ruajtur të pastër gjuhën dhe traditat shqiptare. I tillë ishte edhe ai. Pasardhës i Frashërllinjve, Qirjazëve dhe i vetë Petro Luarasit. Shqipja gurgullonte në gojën e tij. Nuk kish si shqiptohej më bukur.
Pra ishte një kolonjar i vërtetë.
Pakkush si ai mund të sillte në shqip monologun hamletjan të Shekspirit dhe bëmat e Don Kishotit me mullinjtë e erës shkruar nga Servantes. E pas kësaj të thurte vargje për Marathonomakun dhe një himn për flamurin kombëtar. Të shkruante “Historia e Skënderbeut”, dhe monografinë “Bet'hoveni dhe Revolucionin Francez”. Dhe së fundi të kompozonte një seri veprash simfonike, të pakonceptuara deri asokohe nga një shqiptar.
Po aq, pakkush si ai zotëronte 12 a 13 gjuhë të huaja, duke e pasuruar begraundin e tij studimor e akademik me pesë diploma të ndryshme.
Në luftën e tij të përhershme për të marrë sa më shumë njohuri, ai punoi në gjithfarë zanatesh pa u lodhur dhe u shkollua si një nxënës besnik pa u lodhur gjithashtu.
Pasi përfundoi me rezultate “ekselent” gjimnazin grek të Adrianopojës, në moshën 30-vjeçare do të merrte diplomën “Bachelor of Arts” në Harvard. Ishte 55-vjeç kur mbaroi studimet në Konservatorin e Nju Englandit të Bostonit, duke u diplomuar për kompozicion. Vetëm një vit më pas, diplomohet për Muzikologji në Konservatorin e Bostonit. Ndërsa në moshën 63-vjeçare, do të shpaloste me sukses në Universitetin e Bostonit studimin e tij monografik me temën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Kjo do t’i jepte gradën shkencore të doktorit në filozofi.
Ishte i madh Noli, dhe i rëndë sigurisht. Aq sa një universitet e një diplomë nuk ia mbanin dot të gjithë peshën.
Dhe vetëm një njeri si ai mund t’i jepte pavarësinë Kishës Ortodokse Shqiptare duke e shkëputur nga çdo ndikim i huaj. Nuk ishte blasfemi, por dashuria për ta bërë kishën shqiptare, në një vend si Shqipëria, të fliste shqip.
Në të rinjtë e tij nuk i bëri naze asnjë lloj zanati, ndaj punoi si kopist, sufler e aktor me një trupë teatri shëtitës. Por energjia e tij do ta çonte drejt vendlindjes, në Shqipëri. Aty do t’i kushtohej revolucionarizimit të jetës, për më shumë përparim dhe pastrim nga e vjetra otomane. Por dhe këtu do të thyente dogmat e rregullat. Vetëm një njeri si ai mund të shugurohej si peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në nëntor të vitit 1923, ndërsa vetëm një muaj më pas, në dhjetor 1923 do të zgjidhej deputet i Korçës.
Klerik dhe politikan në të njëjtën kohë.
Por me sa dukej për të nuk kish kurrfarë rëndësie, përderisa ishte në shërbim të Shqipërisë.
Natyrisht ai ishte një burrë shteti, që bëri që shumë për çështjen shqiptare, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, me ndikimin e tij.
Padyshim Fan Noli mbetet një nga figurat më emblematike të intelektualizmit shqiptar. Publicist, intelektual, diplomat e orator, një personaliteti i spikatur që përbën një figurë komplekse, e cila vazhdon të analizohet në thellësi e të mos ketë shterim.
Me diplomë të Harvardit, poet, shqipërues, peshkop, deputet, ministër e kryeministër, emrin e të cilit në mos Akademia e Shkencave duhet ta mbante Universiteti i Tiranës. Por ky ka qenë një akord i paarritur. Ç’është e vërteta, në Korçë, Noli është i vlerësuar, ndaj emrin ia kanë vënë universitetit lokal. Por në Tiranë janë mjaftuar që emrin e tij ta mbajë një shkollë 9-vjeçare.
Dhe ky ishte një nga burrat më të ditur që ka pasur Shqipëria.
Me sa duket, regjimi i Hoxhës e kishte një inat me të. Ndërsa të tjerët pas tij as që u ra ndonjëherë ndërmend.
Në vitin 1924 Fan Noli u largua nga Shqipëria për në Amerikën e largët. Nuk u kthye dot më pas. Edhe pse u tha se me regjimin komunist i kishte marrëdhëniet të mira, ai nuk iu përgjigj ftesës së Enver Hoxhës për ta vizituar Shqipërinë. Dhe mbeti konsekuent: një demokrat në shpirt, larg diktaturës dhe pushtetit monarkik.
Mbeti një meshtar në tentativën e përhershme për të qenë më pranë Zotit.
Vdiq në marsin e vitit 1965. Ishte 83 vjeç. Sepse ishte lindur në janarin e vitit 1882. Banesa e tij e fundit ndodhet në “Forrest Hill Cemetery”, të Bostonit.